image E rrahën dhe e gjuajtën me armë zjarri qytetarin në Gjakovë, të dyshuarit në arrati

Kosovë

Siguri/ E rrahën dhe e gjuajtën me armë zjarri qytetarin në Gjakovë, të dyshuarit në arrati

news image

Një përleshje me armë zjarri mes tre personave ka ndodhur gjatë ditës së sotme në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, shkruan Gazeta Sinjali.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Lirie Podrimaj.

Podrimaj tha se dy të dyshuar e kanë sulmuar fizikisht një person, në drejtim të të cilit kanë shtënë edhe me armë zjarri dhe pastaj janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Me datë 19.01.2020 në ora 15:55, kemi pranuar informacion për një rrahje në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë. Patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku  e kanë takuar viktimën i cili ka njoftuar se ishte sulmuar nga dy persona dhe të njëjtit sipas tij kishin shtënë edhe me armë”, tha Podrimaj.

Sipas saj, viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është shoqëruar për intervistim në stacionin policor.

Zëdhënësja e policisë bëri të ditur se policia është në kërkim të të dyshuarve, në shtëpinë e njërit prej të cilëve ka gjetur dhe ka konfiskuar armën e cila është përdorur në këtë rast.

“Njësitet policore janë vënë në kërkim të dy personave të dyshuar të cilët ende janë në arrati,  ndërsa arma e cila dyshohet se është përdorur në rast është gjetur nga policia në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit dhe e njëjta është konfiskuar, si dhe një gëzhojë e gjetur në vendin e ngjarjes. Sektori i hetimeve nga stacioni policor në Gjakovë po punojnë intensivisht për arrestimin e të dyshuarve dhe zbardhjen e rastit. Të gjitha veprimet policore po bëhen në koordinim me prokurorin e shtetit”, shtoi Podrimaj./Gazeta Sinjali/