Një shkrimtar dhe gazetar i njohur në Poloni mund të dënohet me tre vjet burgim pasi në një postim në Facebook në nëntor të vitit të kaluar e kishte quajtur budalla presidentin e vendit, Andrzej Duda.
Shkrimtari Jakub Zulczyk e kishte akuzuar presidentin Duda se nuk e ka kuptuar sistemin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara në një postim që ia kishte dërguar në Twitter presidentit amerikan, Joe Biden.
Ofendimi i liderëve shtetërorë dhe fetarë në Poloni cilësohet krim dhe dënohet me ligj, shkruan BBC.
Zulczyk kishte shkruar se e ka studiuar politikën amerikane me interes të madh dhe se kurrë nuk ka dëgjuar për “nominimin nga Kolegji Zgjedhor”, shprehje që presidenti Duda e kishte përdorur në postimin e tij për Bidenin.
“Joe Biden është presidenti i 46-të i ShBA-së. Andrzej Duda është budalla”, kishte shkruar në Facebook ky shkrimtar, përcjell Gazeta Sinjali.
Prokurorët kanë thënë se teksti në postimin e shkrimtarit është fyes dhe i papranueshëm.
Shkrimtari tha se mori vesh për akuzat kundër tij përmes rrjeteve sociale.
Polonia ka nëntë ligje kundër fyerjeve, përfshirë një që përfshin simbolet shtetërore. Për të gjitha shkeljet mund të jepet dënim me burgim./Gazeta Sinjali/