image E mori konfirmimin nga MSh-ja, por 76-vjeçares që tri ditë nuk po i vjen radha për t'u vaksinuar në Mitrovicë

Shëndetësi

E mori konfirmimin nga MSh-ja, por 76-vjeçares që tri ditë nuk po i vjen radha për t’u vaksinuar në Mitrovicë

news image

Një 76-vjeçare nga Mitrovica është duke pritur që nga e premtja që të marrë dozën e dytë të vaksinës anti-COVID, raporton Gazeta Sinjali.

Tollovia e madhe dhe radhët e gjata të qytetarëve që po presin për t’u vaksinuar, ia kanë pamundësuar Xh.L., (emër i njohur për redaksinë) që ta marrë dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit.

Dozën e parë, 76-vjeçarja e ka marrë më 23 prill të këtij viti, derisa që ta marrë dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit, ajo e ka pranuar konfirmimin nga Ministria e Shëndetësisë, për 2 korrik.

Nga e premtja ajo shkon për t’u imunizuar tërësisht kundër virusit, por që 76-vjeçarja nuk arrin që t’i përballojë temperaturat e larta që të pres me orë, derisa t’i vjen radha.

Djali i saj ka telefonuar në redaksinë e Gazetës Sinjali dhe është ankuar për keqmenaxhimin dhe mosoragnizimin e duhur të procesit të vaksinimit në Qendrën e Vaksinimit “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë.

Ai thotë se një polic (emër i njohur për redaksinë) qëndron aty për të mbajtur rend dhe ua merr kartelat e identifikimit qytetarëve, të cilët duhet të presin me orë në këmbë, në këto temperatura, që t’u vijë radha.

“Nuk ka çka duhet termi as online, as jo online. Është njëjtë si ai që shkon sot, sikur ai që shkon një ditë tjetër. Si ai që shkon për dozën e parë, si ai për dozën e dytë. Të gjithë kanë me prit në rend. Policia po i merr letërnjoftimet, bëhen 100 letërnjoftimi dhe i thërret sipas radhës për vaksinim. Termini ka dështuar plotësisht.”

Ai thotë se është e palogjikshme që një i moshuar të pres me orë në këmbë, i ekspozuar në temperatura të larta, për të marrë vaksinën.

“Unë nuk e lë nënën me prit në këto temperatura. Është e palogjikshme, e padinjitetshme. Ku pret plaku 65, 75 vjeçar në temperatura, në këmbë, jashtë. Herën e parë e ka marrë më 23 prill, dozën e dytë e ka pasë me 2 korrik, të premten. Shkova sot, Toger… (ia përmend emrin) i kishte pasur minimumi 60 letërnjoftime në dorë. Unë nuk mundem me e lënë nënën me prit me orë”, tha ai për Sinjalin.

Sipas saj, mënyra e duhur e organizimit do të ishte nëse do të ndaheshin ata që do të marrin dozën e parë dhe ata që do të marrin dozën e dytë të vaksinës, si dhe të ketë përparësi për të moshuarit, për të mos i lënë të presin.

“Kish dashtë me qenë e ndame, doza e parë me dozën e dytë dhe me u vaksinu ashtu siç e ka orën në termin, jo me prit si ai që i ka 50 vjeç, si ai që i ka 70”, tha ai i nervozuar.

Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktojë me drejtoreshën e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj, por e njëjta nuk u është përgjigjur thirrjeve të redaksisë./Gazeta Sinjali/