Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i’a kishin mësyer zyrave të KQZ-së në Mitrovicë të Veriut e Zubin Potok nën përcjelljen e Policisë, për të ushtruar detyrat zyrtare, por janë kthyer pas, raporton Gazeta Sinjali.
“Jemi në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok”, tha Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së për Gazetën Sinjali.
Më tej ai tregoi se zyrtarët kanë shkuar në zyra me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur.
“Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, tha Elezi.
Punonjësit e KQZ-së kanë ndërruar bravat e dyerve të Komunës në Zubin Potok, por menjëherë janë lëshuar sirenat për disa minuta.
Menjëherë pas kësaj, forcat speciale dhe zyrtarët u larguan nga kjo komunë.