Më 20 qershor një e mitur nga Prishtina raportoi në Polici se një person tentoi ta rrëmbejë me një veturë me targa vendore. E njëjta arriti të shmangej dhe të largohet nga vendi i ngjarjes. Gazeta Sinjali ka mësuar se si ndodhi ngjarja dhe ju sjellë detaje të reja.
Rreth orës 22:00 të 20 qershorit, i dyshuari Sabit Rexha, tentoi ta rrëmbejë të miturën (emër i njohur për redaksinë) në fshatin Hajvali të Prishtinës. Ndaj të dyshuarit, Policia e Kosovës ka paraqitur kallëzim penal, shkruan Gazeta Sinjali.
Por si ndodhi ngjarja natën e së dielës?
Persona të afërt me familjen, në kushte anonimiteti, thanë për Sinjalin se viktima fillimisht kishte zbritur nga autobusi në fshatin Hajvali, por aty u përball me një person, të dyshuarin Sabit Rexha i cili priste me një veturë të tipit Volvo, raporton Sinjali.
I dyshuari Rexha, nga vetura e tij kishte filluar ta ngacmojë të miturën me fjalë dhe më pas kishte dalë nga automjeti dhe ka filluar ta prekë atë nëpër pjesë të trupit, duke e kapur për beli dhe duke tentuar ta fus me forcë në veturë.
Megjithatë, ai nuk ia arriti, pasi e mitura arriti të largohej, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo situatë i krijoi pasiguri e frikë babait të saj, i cili kishte dalë për ta pritur vajzën e tij pasi kishte zbritur nga autobusi. Babai i të miturës ka deklaruar në Polici si dëshmitar, se ky person ka tentuar t’ia rrëmbejë vajzën.
Lidhur me këtë rast Prokuroria ka kërkuar të caktohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit, Sabit Rexha.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.