Shoqata e Gazetarëve në Brazil do ta padisë presidentin Jair Bolsonaro, pasi e hoqi maskën në një konferencë për media, ndërsa po tregonte se ishte infektuar me koronavirus.
Kreu i shtetit ditë më parë u konfirmua me COVID-19 dhe veprimi i tij mund të çojë në infektimin e reporterëve të pranishëm. Shoqata thotë se Bolsonaro nuk e respektoi distancën dhe vuri në rrezik jetët e gazetarëve.
“Vendi nuk mund të tolerojë një sjellje të tillë që shkon përtej papërgjegjshmërisë dhe është një krim i qartë kundër shëndetit publik”, thekson Shoqata e Gazetarëve.
Reporteri i CNN në Brazil, Leandro Magalhae, i cili ishte i pranishëm në konferencë, është izoluar në shtëpi në pritje të testit për koronavirus.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e presidentit Bolsonaro është e mirë dhe ai konfirmoi se po trajtohet me ilaçin kundër malarias, të rekomanduar nga homologu amerikan, Donald Trump. /Gazeta Sinjali