image E dhunuara nga Vukotiq: Kam pritur që dënimi të jetë më i madh

Sociale

E dhunuara nga Vukotiq: Kam pritur që dënimi të jetë më i madh

news image

Viktima e dhunës seksuale që autor kishte serbin, Zoran Vukotiq, ka rrëfyer gjithë ngjarjen që nga momenti kur ajo është ndarë nga familja e deri në momentin kur ajo u dhunua, përcjell Gazeta Sinjali.

Viktima ka treguar se ndonëse dhunimi ishte kryer vetëm nga Zoran Vukotiqi, në dhomë ka qenë edhe një bashkëpunëtor tjetër.

 “Në orët e hershme të mëngjesit në Vushtrri ka ndodhë një ngjarje që e din gjithë bota. Neve na qitën të gjithëve nga shtëpitë ku ishim. Na qitën në një vend të fushat e varrezave në Vushtrri, thuhet se ishin 22 mijë vetë. Po atë ditë ka ndodh edhe krimi. Na mbajtën aty një kohë, djemtë dhe burrat i ndajtën, i ngarkuan nëpër kamiona dhe i shpërndanë. Pas asaj kohe na drejtuan në një lokal, ku aty na identifikojshin me kartona. Unë kur kam hyrë me marrë atë karton, aty edhe dhunuesi më murr dhe më qoj në një vend tjetër. Me burrin jam nda qysh më herët. Edhe s’jam bashku deri pas përfundimit të luftës. Vetëm ky ka marr pjesë në dhunim, por ka qenë edhe një bashkëpunëtor tjetër që ka qenë në dhomë”, tha viktima në T7.

Ajo ka treguar se bashkëshorti gjithmonë e ka përkrahur atë.

“Përkundrazi kanë qenë lidhjet më të forta me bashkëshortin, gjithmonë ka qenë krahu im “, shtoi ajo.

Ajo thotë se nuk është e kënaqur me dënimin që ka marrë Zoran Vukotiq dhe se ka pritur që ai të marrë një dënim më të madh.

“Është një lehtësim se kom kërkuar drejtësi 21 vjet për me ardhë deri këtu, nuk jem e kënaqur, mirëpo është me rëndësi që se paku ta sheh gjithë bota se kush është autor i krimit. Kam prit që dënimi të jetë më i madh”, thotë viktima, që atëkohë ishte 28-vjeçare./Gazeta Sinjali/