image Jahjaga: Dënimi i Vukotiqit jep një fije shprese për mijëra gra e burra që u dhunuan gjatë luftës

Drejtësi

Jahjaga: Dënimi i Vukotiqit jep një fije shprese për mijëra gra e burra që u dhunuan gjatë luftës

news image

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka vlerësuar si shpresëdhënës dënimin e Zoran Vukotiqit me dhjetë vjet burgim për dhunimin seksual të një gruaje në Vushtrri, gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

“Dënimi, edhe pse jo maksimal, jep një fije shprese drejt vënies së drejtësisë për mijëra gra e burra që u dhunuan seksualisht gjatë luftës në Kosovë! I përgëzoj mekanizmat tonë të drejtësisë që, edhe pas më shumë se dy dekadash, arritën të mbledhin prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e Vukotiqit”, shkroi ndër të tjera ajo në Facebook.

Jahjaga, e cila njihet për përkrahjen që ua ka dhënë të mbijetuarve të dhunës seksuale, përmes fondacionit të saj dhe sa ishte në krye të shtetit, tha se lufta për drejtësi për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë do të vazhdojë.

Mirëpo. siç u shpreh ajo, “kohën e kemi armikun më të madh”.

Sipas saj, nuk do të ketë paqe, pa u vendosur drejtësi për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit e krimeve të luftës.

“Shpresoj se rastet e tjera të dhunimit të trajtohen më me prioritet dhe të procedohen më shpejtë! Nuk mund të jetojmë në paqe e stabilitet pa e vendosur drejtësinë për të gjithë viktimat dhe për të gjithë të mbijetuarit e krimeve të luftës“, përfundoi ajo./Gazeta Sinjali/