image QKRMT: Do bëjmë ankesë në Gjykatën e Apelit që t'i ashpërsohet dënimi Vukotiqit

Drejtësi

QKRMT: Do bëjmë ankesë në Gjykatën e Apelit që t’i ashpërsohet dënimi Vukotiqit

news image

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës e ka quajtur ditë historike dënimin e Zoran Vukotiq, pasi që ky i fundit u dënua me 10 vjet burgim nga Gjykata Themelore, për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Gjithashtu, QKRMT do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit për lartësinë e dënimit, të cilin e quajti shumë të ulët.

Fatmire Haliti, juriste ne QKRMT, tha se lartësinë e dënimit do të adresojnë në Gjykatën e Apelit.

“Sa i përket lartësisë së dënimit, sigurisht nuk jemi të kënaqur me lartësinë e dënimit. Do t’i paraqesim ankesat tona sa i përket dënimit dhe do të bëjmë ankesë në Gjykatën e Apelit që të rritet dënimi ndaj atij dhunuesi”, tha ajo.

Sebahate Pacolli, nga QKRMT, tha se dënimi i sotëm është një ditë historike.

“Një dite kaq historike. Sot është marrë vendimi që Zoran është dënuar me 10 vite burgim për krime lufte, saktësisht dhunës seksuale. Për neve është ditë historike se është hera e parë që nga gjykatat tona jepet një dënim i tillë. Ne jemi shume të kënaqur që angazhimi 20 vjeçar po merr dimensionin e drejtësisë së vonuar që kemi punuar shumë. Dënimi jo i merituar, po kjo paraqet fillimin. Pa triumfin e drejtësisë shpirti i tyre nuk qetësohet. Ata që kanë dërguar paditë e tyre ky është triumf”, tha ajo.

Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës tha se sot po fillon epoka e drejtësisë për të gjitha të mbijetuarat e dhunës gjatë luftës.

“Me të vërtetë sot është një ditë apo një epokë e re për të gjitha neve të mbijetuarave të dhunës. I falënderoj të gjithë për angazhimin e tyre 20 vjeçar, gjithë stafit që ka kanë përkrahur deri sot. Sot fillon epoka e neve, drejtësi për neve, për kriminelin në burg edhe ai do ta fillojë një epokë të re”, tha ajo./Gazeta Sinjali/