image Dyshimet për gripin e shpezëve, AUV: Mostrat janë marrë në katër qytete, kemi ngritur shtabin e krizës

Sociale

Dyshimet për gripin e shpezëve, AUV: Mostrat janë marrë në katër qytete, kemi ngritur shtabin e krizës

news image

Një ditë pasi njoftoi se ka dyshime të bazuara për paraqitjen e gripit të shpezëve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dhënë disa detaje për mostrat e marra në katër fermat familjare e të cilat i ka dërguar në laboratorë jashtë vendit për verifikim duke shtuar se tashmë është ngritur shtabi i krizës, por duke këmbëngulur se nuk ka nevojë për panik, shkruan Gazeta Sinjali.

Po dyshohet se shpezët e fermerëve janë të prekura nga gripi i shpezëve (Avian Influenza), të cilat janë dërguar për verifikim në disa laboratorë referent jashtë vendit.

Kështu ka bërë te ditur në një konferencë për media, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi i cili tha se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e këtij virusi. Thaçi ka thënë se vetëm pas rezultateve të këtyre mostrave mund të dihet tipi apo lloji i këtij virusi.

Ai shtoi se derisa nuk ka rezultate, por vetëm dyshime, nuk mund të jap informacione se në cilat regjione të Kosovës ka dyshime për përhapje të gripit të shpezëve.

“Në hulumtimet diagnostike kemi marrë një numër të caktuar të mostrave për rastet e dyshimta që gjenden në vendin tonë, disa janë testuar në laboratorin tonë dhe mostra të caktuara kanë shkuar në laboratorë referentë jashtë vendit dhe ne posa t’i kemi rezultatet nga laboratorët referente konfirmative do t’i bëjmë publike dhe varësisht nga rezultati që del do të vërtetohet lloji dhe tipi i virusit që ka ardhur në vendin tonë. Dhe varësisht nga lloji dhe tipi do të detektohet, ne sigurisht masat do t’i ndryshojmë dhe do të jenë adekuate për të parandaluar që virusi të përhapet tek fermerët. Tani për tani nuk ka nevojë për panik, autoritetet shtetërore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet. Aktualisht ne i kemi marrë mostrat në katër ferma jokomerciale, ferma familjare në katër qytete të ndryshme dhe këto mostra janë ende në testim e sipër dhe pa marrë konfirmim për llojin dhe tipin e virusit ne nuk mund të japim informatën se cili është ai”, u shpreh ai.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka thënë se sot kanë nxjerrë vendimin për themelimin e Shtabit të Krizave dhe janë informuar për kujdes të gjithë akterët.

Thaçi deklaroi se tani për tani nga ky virus nuk janë të prekura fermat komerciale të cilat edhe posedojnë kushte teknike higjienike dhe profesionale për parandalim të përhapjes së virusit.

Ne sot në mëngjes kemi nxjerr vendimin për themelimin e shtabit të krizës dhe po ashtu kemi njoftuar të gjithë veterinarët bashkë me veterinarët në terren për të bërë të gjitha veprimet hulumtuese dhe parandaluese të këtij gripi në vendin tonë. Po ashtu, ne në një ftesë urgjente kemi thirrur edhe stafin e Shoqatën e Shpeztarëve të Kosovës për të dhënë të gjitha sugjerimet për të marrë të gjitha masat të biosigurisë që fermat komerciale që janë në Kosovë e që tani për tani janë të lira nga ky virus t’i ndërmarrin të gjitha veprimet për të parandaluar që virusi të kalojë nga fermat familjare”, vijoi ai.

Tutje, zëdhënësi i AUV-it tha se tashmë ekziston një udhëzim administrativ që përcakton masat që duhet të ndërmerren për parandalimin e përhapjes së gripit të shpezëve.

AUV-i ka kërkuar nga fermat që të ndalohet lëvizja e shpezëve në çfarëdo rrethane.

/Gazeta Sinjali/