image Në QKUK, ushqim i njëjtë për të gjitha diagnozat!

Shqetësuese/ Në QKUK, ushqim i njëjtë për të gjitha diagnozat!

news image

Pacientët që po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë ankesa të shumta për ushqimin që u shërbehet gjatë trajtimit spitalor.  

Sipas tyre, shujtat që u ofrohen jo vetëm që nuk janë cilësore por as adekuate për sëmundjet që kanë.

Edhe nga ajo që shihet përmes fotos së siguruar nga Sinjali, ushqimi i servuar në pijatë, lë shumë për të dëshiruar.

Shumica e pacientëve thonë se nuk e konsumojnë fare ushqimin që u shërbehet në spital.

“Nuk e marrë ushqimin në spital, sepse nuk është i mirë, çdoherë familjarët më kanë blerë ushqim jashtë”,  tha pacienti D.N. që po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë.

E disa pacientë të tjerë, ankohen se ushqimi që iu shërbehet është i ndaluar ose nuk rekomandohet për sëmundjen që e kanë.

“Unë jam i sëmurë nga veshkat dhe kam stendë të vendosur në zemër, ushqimi i spitalit nuk është i përshtatshëm, sepse unë e kam të ndaluar të konsumoj gjella dhe produkte me përbërje të mishit, prandaj duhet të marr ushqim nga jashtë”, tha V.A pacient në Klinikën e Nefrologjisë.

Ankesa të shpeshta lidhur me cilësinë e ushqimit në QKUK, ka marr edhe Shoqata për të Drejtat e Pacientëve (PRAK). Sinjali ka kërkuar nga kjo shoqatë një vlerësim, nëse ushqimi që shërbehet në QKUK i përmbush standardet.   

“Nga ajo që kemi vërejtur deri më tani është fakti se cilësia e ushqimit nëpër spitale është e dobët dhe shërbehet në kushte jo adekuate. Duke pasur një cilësi të dobët të ushqimit, një pjesë e madhe e pacientëve nuk e konsumojnë atë por e sjellin ushqimin nga jashtë nëpërmjet familjarëve të tyre”,  thotë PRAK për Sinjalin.

Pacientëve që trajtohen në Qendrën Klinike Universitare u ofrohet ushqim tri herë në ditë. Ata thonë po ashtu se nuk janë të informuar paraprakisht lidhur me përmbajtjen e menysë ushqimore.

 “Dje kam ardhur në spital, nuk e di se çfarë shërbehet, nuk më ka informuar askush”, ankohet pacientja I.B. që po trajtohet në Kliniken e Kirurgjisë Torakale.

Përkundër ankesave të pacientëve, shefi i Sektorit të Ushqimit dhe Shërbimit, Fisnik Dobra, ka një shpjegim tjetër për këtë çështje.

“Pacientët janë të informuar për përmbajtjen e menysë ditore dhe javore, mirëpo ka raste kur vijnë pacientë të rinj dhe nuk i kanë këto informacione, ose ata vet nuk janë të interesuar të dinë se çka shërbehet në spital”, tha Dobra.

Sinjali ka kërkuar nga Dobra, të lejojë qasje në menytë ushqimore standarde dhe specifike, mirëpo një gjë e tillë është refuzuar nga ky i fundit, me arsyetimin se janë duke u bërë ndryshime në përbërjen e menysë. 

Gazeta ka hulumtuar nëse menyja ushqimore është e publikuar në vende të dukshme nëpër klinika por ka vërejtur se ajo është e vendosur vetëm në Klinikën e Syve.

Duke iu referuar menysë standarde e cila është e publikuar në këtë klinikë, dietologia dhe nutricistja Vala Pupovci, vlerëson se ajo është varfër për nga përmbajtja dhe nevojat e pacientëve.

“Kjo meny nuk është shumë e pasur me llojllojshmëri. Pra, është dashur të ketë më shumë lloje të ushqimit që shërbehen në spital. Për shembull peshk, mish pule, drithëra të ndryshme, po ashtu më shumë pemë, në mënyrë që sasinë e sheqerit ta marrin prej tyre, e jo nga desertë të tjerë”, u shpreh Pupovci.

Nutricistja shton se disa nga llojet e ushqimeve që ofrohen për pacientët në QKUK, siç janë sallami dhe salsiçet, mund të provokojnë sëmundjeve të ndryshme, përfshirë kancerin.

 “Menyja duhet të ndryshoj edhe varësisht prej problematikës, nëse po flasim për një pacientë që ka pasur probleme me barkëqitje ose me vjellje, duhet me qenë një meny tjetër. Ose për pacientë me sëmundje të diabetit, sepse nëse i japim sasi të lartë të sheqerit këtyre personave, atëherë sasia e sheqerit në gjak rritet dhe menjëherë vërehen simptomat tek pacienti. E njëjta vlen edhe për një pacient, që ka probleme me idhcën, momentin që i jep ushqim me më shumë yndyrë,  ai ndjen dhimbje”, tha Pupovci.

Sipas shefit të kuzhinës së QKUK-së, Fisnik Dobra,  menytë ushqimore për pacientët në QKUK përcaktohen nga nutricistja, Adriana Ҫabra.
Mirëpo, kur i është kërkuar që të na vë në kontakt me nutricisten, ai  ka refuzuar, me arsyetimin se Ҫabra nuk është e autorizuar të flas për media.

Ndërsa, zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare, Shpend Fazliu, nuk është fare  në dijeni se cila është nutricistja e QKUK-së.

 “Duhet të bisedoni me Fisnikun, as nuk e njoh as nuk e di se kush është,  ai e njeh më mirë”, ka thenë Fazliu  për Sinjalin.

Përveç menysë e cila është e njëjtë për të gjitha diagnozat e pacientëve,  shqetësuese mbetet edhe gjendja higjienike-sanitare e depos ku ruhet ushqimi.

Gazeta Sinjali, ka siguruar foto të kësaj depoje.

Vendi ku ruhet ushqimi i pacientëve të QKUK-së,  kundërmon erë të rëndë.

Përkundër kësaj gjendjeje,  Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë, thekson se ushqimi që përgatitet në QKUK, është në nivel të mirë të sigurisë ushqimore.

“Kushtet higjieniko sanitare mbahen sipas procedurave standard operative të higjienës që zbatojnë në këto hapësira, duke i menaxhuar me sukses stafi menaxhues i mensës së QKUK-së. Gjatë kësaj periudhe kanë pasur edhe rregullime të kushteve tekniko sanitare duke i eliminuar të gjitha rreziqet nga ndonjë hazard në krijimin e kushteve sa ma të lehta për mirëmbajtjen e higjienës, ruajtjes distribuimit të ushqimit”, ka thënë zyrtari për informim i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë , Lamir Thaçi.

Sipas tij, mensat kanë kontrolle të rregullta katër herë në vit, bazuar në planin vjetor të kontrollit. /Sinjali/