Marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës po vijnë duke u zgjeruar vit pas viti.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë muajit janar të këtij viti arritën 2.7 miliardë lekë duke shënuar rritje me 2-fish, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021-shit.
Ndërkohë, importet shënuan një rënie të lehtë duke arritur në 520 milionë lekë nga 539 milionë lekë që ishin në janar të 2021-shit.
Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike. Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera, shkruan KP.
Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë, ndër të cilat eksportin kryesor e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe trangujt.
Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar më tepër drejt Kosovës minerale, lëndë djegëse, energji elektrike pasuar nga grupi materiale ndërtimi dhe metale. Vlera e eksporteve të këtyre dy grupeve llogaritet mbi 900 milionë lekë respektivisht.
Po ashtu, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës, produkte kimike dhe plastike në vlerën e 337 milionë lekëve.