image Dy vjet nga shpërthimi në Zhur ku vdiq një zyrtar policor e u plagosën rëndë tre të tjerë

Siguri

Dy vjet nga shpërthimi në Zhur ku vdiq një zyrtar policor e u plagosën rëndë tre të tjerë

news image

Dy vjet më parë një aksion i Policisë në Zhur të Prizrenit, i kushtoi me jetë zyrtarit, Sami Thaqi. Si pasojë e këtij shpërthimi, lëndime të rënda pësuan edhe tre zyrtarë tjerë, Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi dhe njëri nga fëmijët, raporton Sinjali.

Madje Sinjali e kishte siguruar deklaratën e njërit nga të mbijetuarit e shpërthimit, Artur Mrasori. Ai kishte deklaruar se gjithçka filloi kur Policia kishte marrë thirrje nga familjarët e Iran Badallit nën dyshimin se mbante lëndë narkotike.

Mrasori ka treguar edhe për momentin e shpërthimit, që i mori jetën kolegut të tij.

“Në ato momente në katin e dytë ka ardhur i ndjeri Sami Thaqi, i cili e ka larguar vajzën nga aty dhe që të dy ishim në gjunjë brenda në dhomë në afërsi të krevatit të fëmijëve dhe i njëjti më është drejtuar me fjalët “babush kqyrë çka gjeta”, pastaj unë i kam thënë cka dhe jam kthyer në drejtim të tij ku kam vërejtur se në duart e tij ishte një pako në formë të boksit të cigareve me ngjyrë të gjelbër dhe në ato momente unë e kam dëgjuar një zhurmë “biiip” në vesh, një nxehtësi të lartë në trup dhe një dritë në sy (blic) pastaj kam dëgjuar Arsim Bytyqin duke thënë se çfarë ndodhi kështu.”

Ai ka folur edhe për momentin kur kanë filluar ta kërkojnë policin e ndjerë, Sami Thaqin.

Më pastaj kam filluar që të lëvizë këmbët, pastaj duart, kam filluar që ta thërras vazhdimisht kolegun tim Samiun, ku je, ku je, hajde, më pastaj kam dëgjuar që dy kolegët, pjesëtarë të NJRSH-së Po, ku njëri nga ta ishte Faton Veseli, të cilin e kam njohur në bazë të zërit, i cili me të hyrë në dhomë ka bërë “kuku”, pastaj njëri nga dy kolegët ma ka mbuluar fytyrën me një rrobë dhe ka thënë që hajde t’i lëmë dhe ta njoftojmë emergjencën, mirëpo Fatoni I ka thënë që nuk mundem t’i lëmë këta në këtë gjendje dhe përmes radiolidhjes e kanë njoftuar “golf kontrollin” dhe kanë kërkuar emergjencë”, ka deklaruar Mrasori.

Të akuzuar për këtë rast janë Iran Badalli dhe Arben Gashi, të cilët po akuzohen për bashkëkryerje në veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Badalli dhe Gashi dyshohen se kanë montuar eksploziv në katin e dytë të shtëpisë, natën e 28 janarit të vitit 2020, kur zyrtarët policorë kishin shkuar për bastisje, pas një thirrje se aty gjenden substanca narkotike.

Ndaj tyre ende nuk ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor që po mbahet në Gjykatën e Prizrenit.

/GazetaSinjali/