Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit që akuzohet për veprën penale ‘blerje, posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, Drilon Haraçia e shpalli fajtor për veprën penale dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vjet dhe njëmijë euro gjobë, pasi që pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, i pandehuri M.B, e ka pranuar fajësinë sipas aktakuzës.
I pandehuri M.B, akuzohet se me datën 24 qershor 2021, gjatë bastisjes nga ana e policisë në shtëpinë e tij në katin e dytë të shtëpisë tek dhoma e tij, janë sekuestruar tetë qese të mbushura, me substancë të llojit Marihuanë, një kavanoz i mbushur me substancë të llojit Marihuanë, një qese të mbushur me substancë narkotike të llojit Kokainë në peshë rreth 1.36 gram, dy peshore digjitale të cilat shërbejnë për matjen e narkotikut, ndërsa brenda në një aneks të shtëpisë (shupë) janë gjetur njëzet qese të paketuara dhe të mbushura me substancë narkotike të llojit Marihuanë, e gjithë kjo sasi e substancës narkotike-kanabis (Marihuanë) në peshë prej 986,76 gramë.
Gjykata ka urdhëruar që ndaj të pandehurit M. B., të konfiskohen mjetet monetare në shumën prej pesëqind e tridhjetë (530) € , si mjete të përfituar nëpërmjet kryerjes së veprës penale dhe të bëhet shkatërrimi i substancës narkotike. /GazetaSinjali/