image Dy të dyshuarit për vrasjen e të riut në Mitrovicë, ende në arrati - Sinjali

Dy të dyshuarit për vrasjen e të riut në Mitrovicë, ende në arrati

news image

Gazeta Sinjali dje ka raportuar për vrasjen e 25-vjeçarit Albert Muja, që ndodhi pas mesnate në rrugën “Artim Jashari” të Mitrovicës. Sinjali ka mësuar se të dyshuarit për këtë rast janë Lundrim Beqiri dhe shoku i tij Ardit Zymberi.

Beqiri dhe Zymberi që nga mesnata e 30 tetorit gjenden në arrati. Lajmin se ata ende nuk janë kapur nga Policia e Kosovës, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Të dy personat mbeten në kërkim policore ende. Hetimet janë duke vazhduar, mirëpo diçka konkrete të paktën deri më tash nuk ka”, tha ai për Sinjalin.

Kujtojmë se Lundrim Beqiri është vëllai i Valdrin Beqirit, i cili ishte arrestuar para 5 vitesh, për vrasjen me kallashnikov të studentit 21-vjeçar, Valon Sadikut, në rrugën “UÇK”, afër gjimnazit “Frang Bardhi”, në Mitrovicë.

Policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se të dyshuarit ende nuk janë arrestuar, mirëpo gjatë kontrollimit në një lokacion ku dyshohej se mund të gjendeshin Lundrim Beqiri dhe shoku i tij me inicialet A.Z., janë konfiskuar një pushkë e gjatë -mitraloz me disa fishekë dhe një sasi e dyshuar që mund të jetë substancë narkotike.

Gazeta Sinjali gjithashtu ka raportuar se dje është konfiskuar një veturë e cila dyshohet se është përdorur gjatë vrasjes së 25-vjeçarit.

Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin, zëdhënësi i Policisë së Mitrovicës, Avni Zahiti.

Është konfiskuar një veturë që dyshohet se është përdorur gjatë vrasjes, ndërsa të dyshuarit janë ende në arrati“, ka thënë ai.

Si ka ndodhur ngjarja?

Lidhur me vrasjen e ndodhur më 30 tetor rreth orës 00:10, Policia ka njoftuar se ngjarja dyshohet se ndodhi pas një zënke që kishin mes vete Albert Muja dhe dy të dyshuarit, Lundrim Beqiri dhe A.Z.

Gjatë përleshjes dyshohet se viktima është sulmuar me thikë nga të dyshuarit dhe nga plagët e marra ka humbur jetën në QKUK.

Trupi i pajetë i viktimës me vendim të prokurorit është dërguar në IML për obduksion, ndërsa dje pasdite atij i është dhënë lamtumira e fundit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin