Dy policë janë arrestuar dhe tre të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, pas zjarrit që përfshiu mbrëmjen e një nate më parë ambientet e paraburgimit në Komisariatin e Policisë në Kamëz.
Si pasojë e flakëve dhe asfiksisë ndërroi jetë në spital Arben Mici, i arrestuar për “Dhunë në familje”.
Të lënduar jashtë rrezikut për jetën mbetën Dilaver Idrizi, i arrestuar për vrasje të mbetur në tentativë, si dhe punonjësi i policisë, H.B..
Dyshohet se viktima dhe Idrizi janë autorët e zjarrit, të cilët i vunë zjarrin me çakmak dhomës ku po qëndronin.
Punonjësit e policisë kanë lejuar mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse nga të arrestuarit, të cilët shkaktuan zjarrin.
Të arrestuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës” janë oficerët e sigurisë në dhomat e paraburgimit të të ndaluarve/arrestuarve, F. I., 64 vjeç dhe H. B., 64 vjeç, raporton TopChannel.
Po kështu, për shkak të mos ushtrimit të kompetencave janë vënë nën hetim në gjendje të lirë L. M., 64 vjeç, me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë për personat e ndaluar/arrestuar; M. M., 52 vjeç, me detyrë Nd/specialist Informacioni dhe Y. Ç., 44 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.