image Dy persona kërcënojnë dhe sulmojnë një nxënës të shkollës fillore në Prizren

Siguri

Dy persona kërcënojnë dhe sulmojnë një nxënës të shkollës fillore në Prizren

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale “kanosje dhe sulm fizik”, dje rreth orës 10:00 në fshatin Caparc të Prizrenit, shkruan Gazeta Sinjali.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, i tha Gazetës Sinjali se dy të arrestuarit dyshohen se kanë kërcënuar dhe sulmuar fizikisht një nxënës të shkollës fillore “Zef Lush Marku”.

“Në fshatin Caparc të Prizrenit, Rasti ka ndodhur më datën 9 mars, rreth orës 10:00, ku kanë qenë të përfshirë tre nxënës, shkollën fillore ‘Zef Lush Marku’. Tre persona të përfshirë, dy të dyshuar e sulmojnë fizikisht një viktimë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore”, tha Osmanollaj.

Ai tha se të dyshuarit janë dërguar në stacion policor për intervistim, ndërsa viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe pas tretmanit i njëjti është liruar.

Njëri nga të dyshuarit e ka dorëzuar një pushkë automatike me tre fishkë, e cila është sekuestruar nga policia si dëshmi materiale për këtë rast.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe hetimet janë duke vazhduar.

Gazeta Sinjali mëson se sulmi dhe kërcënimi ndaj nxënësit i cili është rreth moshës 15-vjeçare, kishte ndodhur për shkak se ai dyshohet se fillimisht kishte sulmuar në oborrin e shkollës një vajzë që është familjare me dy të dyshuarit e arrestuar për rastin e fundit./Gazeta Sinjali/