Lutfi Haziri, është personi që vazhdon t’i shkaktojë kokëçarje Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ka të paktën dy raste kur Haziri është bërë shkak i polemikave dhe distancimit mes dy partive që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit, raporton Gazeta Sinjali.
Në fakt edhe Lëvizja Vetëvendosje, ka shfaqur publikisht antipati ndaj nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri.
Kushti i parë i Lutfi Hazirit, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, kishte qenë respektimi i figurës së Ibrahim Rugovës. Ai kishte thënë se e ka kusht personal që VV duhet ta përmbushë për një koalicion të mundshëm.
Në tetorin e vitit të kaluar, Haziri kishte kujtuar mendimin e VV-së për Ibrahim Rugovën që sipas tij, për VV-në ka qenë krye tradhtar i Kosovës.
“Për lidershipin e Vetëvendosjes, Ibrahim Rugova ka qenë krye tradhtari i Kosovës. Na nuk harrojmë. Nëse kanë ndryshuar diçka sa i përket figurës së liderit tonë historik dhe themeluesit të Republikës, këtu jemi. Mund t’i diskutojmë me organet tona partiake”,
“Përndryshe, le ta harrojnë që mund të bëjnë partneritet me LDK-në!”, kishte shkruar Haziri, në Facebook.
Por, përkundër se pas një raporti të tensionuar mes dy partive politike në vitet e kaluar, gjatë legjislaturës së kaluar ku VV dhe LDK ishin në opozitë, dy partitë kishin krijuar raportet më të mira që kishin pasur ndonjëherë.
Të dy partitë kanë zhvilluar të paktën 5 takime të grupeve punuese për të lidhur koalicion mes vete. Një takim tjetër do ta mbajnë edhe gjatë ditës së sotme.
Por mbrëmjen e djeshme, Haziri nxiti reagime të shumta nga VV, duke thënë se emri i kryeministrit nga VV duhet të merr miratimin e LDK-së.
“Ky vend ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. Por ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK-së!”, kishte shkruar Haziri në Facebook i cili nxiti reagimin e Albulena Haxhiut, Hekuran Muratit dhe Besnik Bislimit.
Megjithatë një situatë e tillë kishte qenë e pritshme, duke pasur parasysh qëndrimin publik të Vetëvendosjes për Lutfi Hazirin.
Shtatë muaj më parë, kur nuk ishin mbajtur ende zgjedhjet e jashtëzakonshme, Glauk Konjufca nga VV, kishte folur për postin e kryetarit të LDK-së.
Për Konjufcën zgjedhja e Hazirit në krye të LDK-së do të thoshte, një tjetër koalicion i kësaj partie me PDK-në.
“Pra, nëse fiton Lutfi Haziri, koalicionit VV-LDK i zbresin 30 për qind [të gjasave], edhe ndodh e kundërta: Koalicioni LDK-PDK hip në 70 për qind për nga mundësia”, kishte deklaruar Konjufca.
Ky është tentimi i dytë për koalicion mes këtyre dy partive, pasi para 6 tetorit, LDK dhe VV kishin tentuar krijimin e një koalicioni parazgjedhor. Posti i kandidatit për kryeministër ishte bërë shkak që nuk ishte krijuar një koalicion parazgjedhor LDK-VV.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti kishte propozuar që të futën në listë të përbashkët, ndërkohë që cilido prej kandidatëve për kryeministër, ai ose Vjosa Osmani të merr më shumë vota do të bëhej kryeministër. Por ky propozim ishte kundërshtuar nga LDK./Gazeta Sinjali/