image Dy nga fëmijët shqiptarë që u kthyen nga Siria, dyshohet se janë të Lavdrim Muhaxherit

Shqipëri

Dy nga fëmijët shqiptarë që u kthyen nga Siria, dyshohet se janë të Lavdrim Muhaxherit

news image

Mbrëmë në mediat e Shqipërisë është publikuar një listë sipas të cilës në mesin e fëmijëve që janë kthyer në operacionin e fundit nga Siria për në Shqipëri janë edhe dy fëmijët e Lavdrim Muhaxherit.

Listën e shkruar me dorë e ka publikuar gazetarja nga Shqipëria, Fatjona Mejdini, në të cilën janë të shkruar edhe emrat e fëmijëve të Muhaxherit.

Sipas gazetares Mejdini, gruaja me të cilën ishte martuar Lavdrim Muhaxheri është Floresha Rasha, e cila së bashku me tre fëmijët u kthye në aksionin e fundit.

Floresha Rasha u nis drejt kampit në Siri, në vitin 2013 së bashku me bashkëshortin Diamand Rasha, i cili mbeti i vrarë pak muaj më pas.

Floresha, sipas gazetares, u martua më pas me Lavdrim Muhaxherin, me të cilin sipas gazetarës Mejdini, ajo i kishte dy prej fëmijëve.

Por, kreu i Anti-terrorit në Policinë e Shtetit në Shqipëri, Gledis Nano, e kundërshtoi duke thënë se vetëm një prej fëmijëve i përket Muhaxherit, personi që konsiderohej si komandanti i shqiptarëve të ISIS nga Kaçaniku dhe që u vra në 2017-në. Palët replikuan edhe për përmendjen e emrave dhe shfaqjen me figurë të gruas dhe fëmijëve.

Institucionet në Kosovë nuk kanë konfirmuar apo demantuar informacionin se fëmijët e Muhaxherit mund të jenë kthyer në Shqipëri, megjithatë, tashmë kanë dalë pamje nga aksioni që është kryer atje.

Katër fëmijë dhe një grua e plagosur patën fatin falë përpjekjeve të forcave të Antiterrorit shqiptar, që të lënë kampin e “Al Hol” dhe të niseshin drejt Shqipërisë.

Në pamje shfaqet edhe një simbol i flamurit të ISIS-it, që është i vendosur në një depozitë uji. Ky simbol duket se vijon të përdoret gjerësisht nga ana e personave të radikalizuar, të cilët ushtrojnë presion dhe mbajnë nën kontroll banorët në kamp. /Gazeta Sinjali/