Një krim i rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në rrugën “Muharrem Fejza”, në kryeqytet. Aty kanë mbetur të vdekur dy persona, e janë plagosur tre të tjerë pas një konflikti me armë zjarri.
Përmes një komunikate, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka treguar sesi filloi e gjithë përleshje mes anëtarëve të familjes Mehmeti dhe atyre të familjes Rafuna.
Sipas Prokurorisë, gjithçka kishte filluar me një përleshje fizike, për të përfunduar më pas me të shtëna armësh.
“Në njërën anë personat me inicialet F.R., dhe M.R., ndërsa në anën tjetër të dyshuarit me inicialet B.M., N.M., dhe M.M., kanë shtënë me armë zjarri. Ndërkaq, si pasojë e të shtënave të ndërsjella, lëndime dhe plagë të rënda në vendin e ngjarjes kanë pësuar të dyshuarit me inicialet F.R., M.R., B.M., dhe kalimtari i rastit, tani i dëmtuari G.R”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria bën të ditur se në të lënduarit janë dërguar menjëherë për trajtim në QKUK, mirëpo si pasojë e lëndimeve dhe plagëve të marra, kanë ndërruar jetë personat me inicialet B.M. dhe M.R.
Ndërkohë, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë, personat me inicialet N.M., M.M., dhe F.R., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së.
“Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dhe do të urdhërohet që të bëhet obduksioni, me qëllim të përcaktimit të shkaqeve të vdekjes së tyre”, thuhet në komunikatë.