Dy nga disa deputetë të Serbisë që kanë hyrë sot në grevë urie, kanë përmendur si arsye Kosovën.
Deputeti i pavarur i parlamentit të këtij shteti, Miladin Shevarliq tha se në grevë hyn “shkaku i pamundësisë për të nisur debat në Kuvend për cenimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë, si dhe mosrespektimin e Rezolutës 1244”.
Atij më pas i është bashkuar deputeti Boshko Obradoviq, lideri i grupit “Dveri”. Menjëherë pas tyre, në grevë kanë hyrë edhe deputetët e Partisë Progresive Serbe (SNS), Aleksandër Martinoviq dhe Sandra Bozhiq, me kërkesën që “prokuroria të reagojë dhe t’i nisë hetimet kundër Boshko Obradoviqit”.
Shevarliqi, që e ka nisur grevën rreth Kosovës, ka zënë pozitë të dielen tek shkallët e Parlamentit të Serbisë.
I veshur me veshje serbe, ai ka mbajtur një fotografi me mbishkrimin: “Nuk është çështja tek ajo nëse duam apo nuk duam të luftojmë! Por nëse duam apo nuk duam të ekzistojmë”, raporton Kossev.
Ai ka vlerësuar se “parlamenti i Serbisë është turp” që shërben për “zbatimin e njëmendësisë së partisë në pushtet”.
Ai fillimisht u kishte treguar gazetarëve në parlament deklaratën e ambasadorit të Rusisë, Aleksandër Bocan Harçenkos për gazetën “Politika” në të cilën ka theksuar se rezolutën 1244 duhet ndërruar, duke lëshuar më pas deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit për “sovranitetin e Kosovës në tërë territorin e saj”. Megjithatë, ai xhirim është i vitit 2019.
“A është kjo tradhti?… Përse nuk iniciohet çështja e largimit të Kosovës nga sistemi elektroenergjetik serb dhe bashkimit me atë të Shqipërisë? Për çfarë shërben ky parlament”, ka thënë ai.
Atij më pas i është bashkuar edhe Obradoviqi.
“Sapo i jam bashkuar Miladin Shervarliqit në grevën e urisë. Dhe besoj se nuk do të jem i vetmi. Jo vetëm për ruajtjen e Kosovës në përbërjen e Serbisë, por në rend të parë për atë. E pastaj edhe për shkelje të Kushtetues, rrënim të demokracisë dhe shtyrje të zgjedhjeve”, ka shkruar Obradoviq në Twitter./ Gazeta Sinjali/