image Duda Balje flet për herë të parë pas denoncimit: Edhe në Polici do të luftoj për drejtësi, drejtoresha e di që është gabim

Sociale

Duda Balje flet për herë të parë pas denoncimit: Edhe në Polici do të luftoj për drejtësi, drejtoresha e di që është gabim

news image

Shenjat e ndalimit në hyrjen e shkollës së mesme teknike ‘Nexhmedin Nixha’ në komunën e Gjakovës, kanë nxitur reagime të shumta në vend. Për shkak të shenjës së moslejimit të shamisë, kishte reaguar ashpër deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Grupi Parlamentar 6+, Duda Balje, e cila e kishte cilësuar si skandaloz dhe ofendues për qytetarët krahasimin e simboleve. Ndërsa drejtoresha e shkollës, Florentina Gjergjaj, ka denonucar në Policinë e Kosovës deputeten Balje, pasi e akuzoi për sulm dhe nxitje të urrejtjes.

Lidhur me këtë denoncim dhe për gjithë debatin e shamisë, Balje për herë të parë ka folur për Gazetën Sinjali, e cila është shprehur se gjithmonë do të luftojë për drejtësi, teksa ka thënë se duhet ndryshuar edhe Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Sipas saj, drejtoresha e shkollës, ka shkelur Kushtetutën dhe Ligjin.

Unë kam mendimin tim personal. Drejtoresha ka shkelë edhe Kushtetutën edhe Ligjin. Edhe para popullit edhe para Policisë, sot dhe për jetë unë do të luftoj për drejtësi“, tha Balje për Sinjalin.

Lidhur me Udhëzimin Administrativ, ajo deklaroi se duhet të ndryshohet, sepse sipas saj, ka krijuar konfuzitet. Balje insiston që në UA nuk shkruan për bartjen e shamisë.

Në asnjë vend në Udhëzim nuk shkruan për shami. Edhe duhet me ditë se shamia nuk është uniformë. Vajzat munden me i ngjyrosë flokët, me bo frizura edhe munden me qitë shamia. Është vendim personal. Por UA duhet me ndryshu, sepse ka kriju konfuzitet“, tha deputetja për Sinjalin.

Balje pret nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, që të realizojnë premtimin e dhënë për bartjen e shamisë në shkolla. Madje thotë se vetë do marrë iniciativë që kjo çështje të hyjë në rend dite në Kuvend.

Edhe kryeministër edhe ministresha kanë premtu se vajzat me shami nuk kanë me pasë problem nëpër shkolla. Tash duhet me u bo puna konkrete edhe me anulu këtë UA“, tha ajo.

Ndërsa për denoncimin e bërë nga Florentina Gjergjaj, Balje thotë insiston se ajo ka bërë gabim.

Ajo është shumë e sigurt se ka bo gabim“, tha Balje për Gjergjajn.

Ndryshe, drejtoresha e shkollës së mesme teknike ‘Nexhmedin Nixha’, Florentina Gjergjaj, ka akuzuar Baljen për sulm e nxitje të urrejtjes. Po ashtu ka deklaruar se pas reagimit të deputetes Balje, njëherit edhe kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, ndaj saj dhe familjes së saj janë shtuar kërcënimet.

Gjergjaj i ka raportuar në Polici disa raste të kërcënimeve që ka marrë pas ndalimit të hyrjes me shami në këtë shkollë. Gazeta Sinjali ka mësuar nga burimet se në mesin e personave që ka denoncuar në Polici është edhe deputetja, Duda Balje.

Nga Policia rajonale e Gjakovës e kanë konfirmuar të premten se Gjergjaj i ka raportuar në Polici disa raste të kanosjes, duke mos dhënë shumë detaje, sepse, siç thonë janë në fazën fillestare në hetimeve.

Ndërkohë Sinjali e ka siguruar e-mailin që Florentina Gjergjaj ua ka dërguar mësimdhënësve të shkollës, lidhur me kodin e veshjes, ku ka urdhëruar që nxënësit me veshje ekstravagante dhe grim të tepruar, të mos lejohen të hyjnë në shkollë.

Në anën tjetër, Udhëzimi Administrativ përcakton të drejtat, veprimet e ndaluara, masat dhe proceduarat disiplinore dhe zbatimin e tyre.

Në Nenin 3 të këtij udhëzimi, renditen veprimat e ndaluara për nxënësit. Në pikën 1.13 të këtij Neni, si veprim i ndaluar është edhe “bartja e uniformës fetare”.





Lidhur me atë se çka quajmë uniformë fetare dhe cilat vendimet do merren pas debatit për shaminë, Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, mirëpo i njëjti ende nuk ka kthyer përgjigje.

/GazetaSinjali/