image Droga bartej nga Shqipëria në Kosovë/ Si funksiononte grupi prej gjashtë personave që ra në prangat e Policisë?

Siguri

Droga bartej nga Shqipëria në Kosovë/ Si funksiononte grupi prej gjashtë personave që ra në prangat e Policisë?

news image

Dje Antidroga e Policisë së Kosovës ka zhvilluar aksion kundër drogës në Prizren, Mitrovicë të Jugut dhe Fushë Kosovë. Gjatë këtij aksioni, në prangat e Policisë ranë gjashtë persona, ndaj të cilëve sot Gjykata në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit, shkruan Gazeta Sinjali.

Në njoftimin e Gjykatës, ndër të tjerash, tregohet edhe si ka funksionuar grupi i tyre, të cilët dyshohet se bartnin drogë nga Shqipëria në Kosovë.

Në njoftim thuhet se: Më datë 20 prill 2022, të pandehurit blejnë ose posedojnë pa autorizim me qëllim të shitjes, shpërndajnë ose ofrojnë për shitje dhe importojnë substanca apo preparate të shpallura me ligj si narkotikë,  në atë mënyrë që me marrëveshje paraprake dhe në mënyrë të organizuar i ndajnë rolet. Në këtë mënyrë i pandehuri Gj.R., i shet substanca narkotike të llojit marihuanë të pandehurve N.M, A.M., dhe A.M., të cilën substancë narkotike me automjetin e tipit “Mercedes” me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë e transporton nga Shqipëria në Kosovë tek i pandehuri B.R., ku rreth orës 06:30 minuta e kalon pikën kufitare të Vërmicës, i cili më pas në fshatin Vaganicë të Komunës së Mitrovicës takohet me të pandehurin N.M., bashkërisht hyjnë në garazhin e shtëpisë së të pandehurit N.M., për ta dorëzuar substancën narkotike, ku kapen në flagrancë të dy të pandehurit. Gjatë kontrollit në automjetin “Mercedes” me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë në bunkerin special të automjetit policia gjen 10,583 kg substancë narkotike të dyshuar për marihuanë, në garazhin e shtëpisë, pronë e të pandehurit N.M., policia gjen dy thasë të najlonit në 12 gjegjësisht 15 paketime me peshë 18 kg e 905 gram dhe 12 kg e 206.7 gram, nga ku të pandehurit N.M, A.M., dhe A.M., do ta transportonin në Serbi. Ndërsa, i pandehuri S.B., marihuanën e marrë nga Gj.R., me  automjetin e tipit “Mercedes” po ashtu me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë e transporton nga Shqipëria në Kosovë, ku rreth orës 05:40 minuta e kalon pikën kufitare të Vërmicës, me destinacion të arrijë në Prishtinë, e kur arrin në lagjen “Uglar” të Fushë Kosovës ndalohet nga policia, e gjatë kontrollit të automjetit në bunkerin e modifikuar të automjetit policia gjen 10,072 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, të destinuar për tregun e Prishtinës.

/GazetaSinjali/