Drejtori i web-faqes së mediumit publik, RTKlive, Mentor Shala, mbrëmë pak para mesnatës, kur më nuk kishte shpresë se PDK-ja do të ngjitej më lart nga vendi i tretë, e ka shprehur mllefin e tij në Facebook, duke shpërfaqur zhgënjimin e tij të madh për humbjen e partisë së Kadri Veselit.
Të gjithë ata që nuk votuan për PDK-në, Shala i cilësoi anti-perëndimorë. Ndërsa pas raportimit për këtë, ai e ka hequr postimin, shkruan Gazeta Sinjali.
Shala ka kritikuar qytetarët që nuk ia kanë mundësuar PDK-së të dalë partia e parë në këto zgjedhje, duke e pëkthyer këtë si qëndrim anti-perëndimor të votuesve. Ky qëndrim i Shalës përbën shkelje të rëndë për standardet profesionale të gazetarisë dhe rregulloren e RTK-së.
Sipas tij, në mes të Perëndimit dhe Lindjes, populli ka votuar për këtë të fundit, meqenëse ka vendosur që PDK të mos e udhëheqë më shtetin.
“Lindje-Perëndim, Perëndim a Lindje?! Përgjigja u dha sonte- Sot 26% e popullit (që fatmirësisht nuk është shumica e popullit të Kosovës), vendosen per Lindjen! Nëse Perëndimi (SHBA) u munduan të na bajnë të qartë se duhet të mbesim me perëndimin e na s’e degjuam – Lindja (Rusia) sot ia qon gishtin e mesëm ????Perëndimit (SHBA) dhe i thotë tash merreni vesh me mu(Rusinë) për Kosovën. Po du me thanë ia kemi thy Rusisë me sonte. Deri më sot kurrë ma afër s’e kemi pas rrumbullaksimin e shtetit të Kosovës ndërsa prej sonte ma larg e kemi, edhe pse besoj shumë në mrekulli (lojëra të mëdha prej njerëzve të mëdhej)! Klm”, ka shkruar Shala i cili për dy mandate ka qenë drejtor i Radio Televizionit Publik e një herë zëvendësdrejtor.
Web-faqja e RTK-së, sikurse edhe televizioni, gjatë gjithë fushatës zgjedhore ka qenë në shërbim të PDK-së dhe tani ish-kandidatit të saj për kryeministër, Kadri Veselit. Kjo si duket nuk ka ndryshuar as tani që zgjedhjet përfunduan.
Më poshtë, postimi i mbrëmshëm i tij. /Gazeta Sinjali/