Drejtori i web-faqes së mediumit publik, RTKlive, Mentor Shala, e ka përjetuar shumë keq rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Shala ka kritikuar qytetarët që nuk ia kanë mundësuar PDK-së të dalë partia e parë në këto zgjedhje, duke e pëkthyer këtë si qëndrim anti-perëndimor të votuesve, e duke shkelur rëndë standardet profesionale të gazetarisë dhe rregulloren e RTK-së, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Shalës, në mes të Perëndimit dhe Lindjes, populli ka votuar për këtë të fundit, meqenëse ka vendosur që PDK të mos e udhëheqë më shtetin.
“Lindje-Perëndim, Perëndim a Lindje?! Përgjigja u dha sonte- Sot 26% e popullit (që fatmirësisht nuk është shumica e popullit të Kosovës), vendosen per Lindjen! Nëse Perëndimi (SHBA) u munduan të na bajnë të qartë se duhet të mbesim me perëndimin e na s’e degjuam – Lindja (Rusia) sot ia qon gishtin e mesëm ????Perëndimit (SHBA) dhe i thotë tash merreni vesh me mu(Rusinë) për Kosovën. Po du me thanë ia kemi thy Rusisë me sonte. Deri më sot kurrë ma afër s’e kemi pas rrumbullaksimin e shtetit të Kosovës ndërsa prej sonte ma larg e kemi, edhe pse besoj shumë në mrekulli (lojëra të mëdha prej njerëzve të mëdhej)! Klm”, ka shkruar Shala i cili për dy mandate ka qenë drejtor i Radio Televizionit Publik e një herë zëvendësdrejtor.
Web-faqja e RTK-së, sikurse edhe televizioni, gjatë gjithë fushatës zgjedhore ka qenë në shërbim të PDK-së dhe tani ish-kandidatit të saj për kryeministër, Kadri Veselit. Kjo si duket nuk ka ndryshuar as tani që zgjedhjet përfunduan.
RTKlive ka shprehur mbështetje të dukshme për Veselin duke propaganduar vazhdimisht pro tij dhe duke sulmuar kundërkandidatët e tij për kryeministër.
Rasti i fundit më eklatant ishte kur mediumi amerikan “New York Post” kishte shkruar një artikull kritik të titulluar “Politikani kosovar (Veseli) e etiketon veten si fansi më i madh i Trumpit në përpjekje për t’i fituar zgjedhjet”, ku shpërfaqej keqpërdorimi i një fotografie të Veselit me Trumpin të vjetër gati 3 vjet. Këtë shkrim, RTKlive e kishte interpretuar si shumë pozitiv për kryetarin e PDK-së.
Më poshtë mund t’i shihni disa shembuj të mbështetjes që RTKlive ia ka bërë shefit të PDK-së, Kadri Veselit. /Gazeta Sinjali/