Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Naser Ramadani ka thënë se jo të gjithë personat duhet të bartin maska.
Sipas tij, maska duhet të bartin vetëm të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
“Në njëfarë mënyre ata të kategorive të veçanta: të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, që e kanë shëndetin e komprometuar duhet të bartin maska. Popullata e përgjithshme s’ka nevojë të bartë maska, thjesht duhet të kujdesen për higjienën dhe duke qëndruar në shtëpi aq sa është e mundshme dhe të mos dalin në vende ku ka shumë njerëz”, ka thënë Ramadani në emisionin Rubikon.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur mbrëmjen e sontme, ka miratuar masat e propozuara nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për mbrojtje nga kronavirusi. Një prej masave kryesore është ndërprerja e procesit mësimor deri më 27 mars.
Teksa, gjatë ditës së djeshme qeveria ka ndarë mbi 10 milionë euro për nevojat e zbatimit të Planit të Veprimit për zbatimin e Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Covid-19, të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në Kosovë deri më tani nuk është konfirmuar asnjë rast me koronavirus, teksa në Shqipëri është shënuar viktima e parë dhe raportohet se janë të infektuar rreth 16 persona.
Gjithashtu gjatë ditës së sotme, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur koronavirusin pandemi. /Gazeta Sinjali/