Lazio e mbyll me sukses vitin kalendarit 2019. Klubi kryeqytetas arriti të “thyej” Juventusin dhe të marrë në shtëpi trofeun e munguar prej vitit 2017, Superkupën e Italisë.
Të kaltërit dominuan totalisht ndaj bardhezinjve në Riad, duke shënuar me anë të Alberto, Luliç dhe Cataldi. Spanjolli kaloi në avantazh Lazion pas çerek ore lojë, por Dybala riktheu në lojë Juventusin. Argjentinasi goditi saktë pak sekonda para se skuadrat t’i drejtoheshin dhomave të zhveshjeve.
Megjithatë, kjo motivoi më shumë Lazion, që gjeti forcën për të shënuar me anë të Luliç dhe Cataldi. Dalja me karton të kuq e Bentacur bëri më të lehtë triumfin e të besuarve të Simone Inzaghi, që fitojnë për herë të 5 trofeun më të rëndësishëm në vend.
Ky ishte edhe trofeu i dytë i Superkupës së Italisë për gardianin e kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha. /Gazeta Sinjali/