image Dora e butë e organeve të rendit ndaj multimilionerit të Shell-it, hera e tretë që denoncohet për dhunë në familje

Siguri

Dora e butë e organeve të rendit ndaj multimilionerit të Shell-it, hera e tretë që denoncohet për dhunë në familje

news image

Pronari i pompës së derivateve ‘Shell Kosova’, multimilioneri Lulzim Kryeziu, dita ditës po e pasuron dosjen e tij me vepra penale. Ai është denoncuar për hërë të tretë në Polici, nën dyshimet për dhunë në familje. Dora e organeve të rendit ka qenë e ‘butë’ ndaj tij, pasi i njëjti është lënë i lirë dhe është caktuar fare masa e paraburgimit në rastin e fundit, raporton Gazeta Sinjali.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, ai përfundoi në Polici dhe qëndroi në ndalim policor për 48 orë. Por ai shpëtoi pa masë paraburgimi, pasi Gjykata refuzoi kërkesën për një masë të tillë sigurie.

Pa u bërë as gjysmë viti nga ky rast,  ai është futur sërish në telashe me ligjin. Për dallim prej herës së fundit që u dorëzua vet në Polici, ai këtë herë ka zgjedhur të arratiset.

Sinjali raportoi ekskluzivisht se Kryeziu është denoncuar të dielën nga bashkëshortja dhe djali i tij, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, për shkak të frikës dhe rrezikut që po iu kanoset nga burri/babai i tyre.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e përbashkët të çiftit në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, ku Kryeziu dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj dy viktimave.

Sipas informacioneve të para që posedon Sinjali, bashkëshortja e të dyshuarit dhe djali i saj kanë rrëfyer se për shkak të dhunës psikike që biznesmeni Kryeziu ka ushtruar ndaj tyre, ata janë detyruar ta lëshojnë shtëpinë dhe të kërkojnë strehë te familjarët e tyre.

Bazuar në dëshmitë e tyre, të dhënë në Polici, viktimat kanë deklaruar se në mbrëmjen e së shtunës, burri/babai i tyre i ka ofenduar me fjalë nga më të ndryshmet dhe për të mos mbaruar me kaq edhe i ka kërcënuar.

Pikërisht atë natë, para se të largohej nga Kosova, Sinjali mëson se përmes linjës 192, Kryeziu e ka raportuar djalin me pretendimin se i është vërsulur dhe e ka kërcënuar. Por ai nuk shkoi më tej për t’u paraqitur në stacion policor për deklaratë dhe e la me aq.

Megjithatë, viktimat vendosën ta raportojnë rastin një ditë pasi u bë hallakamë në shtëpinë e tyre.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për hetimin e ngjarjes dhe posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit, të ndërmerren hapat e tjerë brenda afatit ligjor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/