image Domgjoni e Idrizi mendtë te Greqia, flasin edhe për disfatën nga Jordania

Futboll

Domgjoni e Idrizi mendtë te Greqia, flasin edhe për disfatën nga Jordania

news image

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e radhës, transmeton Sinjali Sport.

Dardanët kanë përfunduar seancën stërvitore pas humbjes së djeshme nga Jordania.

Kosova do të përballet me Greqinë më 14 nëntor në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës, ‘Katar 2022’.

Përfaqësuesja e jonë gjendet në vendin e fundit në grup me 4 pikë, ku nuk ka gjasa për t’u kualifikuar, por ky takim do t’i nevojitet për të provuar skema të ndryshme.

Pas stërvitjes janë deklaruar dy futbollistët, Toni Domgjoni dhe Blendi Idrizi.

“Stërvitja ka qenë e mirë dhe intensive. Ndeshja e mbrëmshme nuk ka qenë aq e mirë, por ka qenë thjesht një lojë miqësore. Këtë lojë duhet ta harrojmë sa më shpejt dhe të përqendrohemi te dueli me grekët. Normalisht jemi të gjithë paksa nervozë pas asaj humbje, por duhet të koncentrohemi për lojën e ardhshme dhe të japim maksimumin. Kam dëshirë të debutoj për Kosovën në ndeshje zyrtare dhe besoj se të gjithë kundër Greqisë kemi me u mundu ta bëjmë më të mirën për Dardanët dhe për krejt Kosovën”, ka thënë Toni Domgjoni.

Zhgënjimin nga humbja e mbrëmshme e ka vënë në pah edhe Blendi Idrizi, i cili po ashtu beson në paraqitje shumë më pozitive ndaj Greqisë.

“Dita e djeshme ka qenë e vështirë, sepse kemi qenë paksa të demoralizuar por besoj që krejt jemi profesionistë dhe e kemi analizuar secili për veti atë paraqitje dhe prej sot duhet të shohim përpara drejt ndeshjes së radhës. Duhet ta analizojmë të gjithë atë ndeshje si staf dhe të shohim se çfarë ka shkuar gabim. Kundër Greqisë duhet të tregojmë se loja e djeshme ka ndodh njëherë dhe nuk duhet të ndodhë sërish. Duhet të kallxojmë një fytyrë ndryshe. Atje shkojmë për të dhënë maksimumin dhe për të arritur fitore”, është shprehur Blendi Idrizi.

Kosova nesër do ta zhvillojë stërvitjen e radhës e kompletuar, derisa të shtunën në mëngjes do të udhëtojë në Athinë.

/Gazeta Sinjali Sporti/