Janë të shumta vendet ku ka kaluar piku i pandemisë së COVID-19 dhe që po mendojnë seriozisht për muajt verorë që po afrohen, në tentativë për ta shpëtuar sadopak sezonin turistik, edhe pse tashmë të cunguar.
Japonia është një nga vendet që ka kaluar tashmë valën e pandemisë me “vetëm” 16.500 të prekur dhe 783 viktima. Vendi aziatik sapo ka dalë nga gjendja e emergjencës dhe mendon ta hapë sezonin veror në fillim të korrikut.
Për të tërhequr turistë nga e gjithë bota, Japonia ka planifikuar një paketë ndihmash për sektorin me rreth 10.5 miliardë euro.
Një nga propozimet më interesante për turistët që do të munden të arrijnë në shtetin ishullor këtë verë do të jetë fushata e uljeve të çmimeve, që sipas agjencive të turizmit do t’i përgjysmojnë shpenzimet e udhëtimit dhe ndenjjes në atë vend. Një nga tri netët në hotel do të jetë falas, ashtu si pjesa më e madhe e muzeve dhe parqeve, dhe pjesa e shpejzimeve të transportit hekurudhor, më i shpejti dhe më komodi.
Për fatlumët, kjo mund të jetë një periudhë e papërsëritshme për të shijuar pa fluksin e zakonshëm dhe me shpenzime të përballueshme bukuritë e një vendi unik. /Gazeta Sinjali/