image Dokufesti rikthehet këtë vit me prezencë fizike

Film

Dokufesti rikthehet këtë vit me prezencë fizike

news image

Dokufest është një festival filmi Ndërkombëtar që mbahet çdo vit gjatë muajit gusht në qytetin e Prizrenit, transmeton Gazeta Sinjali.

Në këtë event filmat janë të dizajnuar dhe shfaqen gjatë gjithë ditës.

Përveç filmave, festivali është gjithashtu i njohur edhe për netët e gjata, ngjarje të ndryshme turistike dhe kulturore që ndodhin në kuadër të festivalit si ekspozita DokuPhoto, festival kampe, koncerte, të cilat së bashku kthejnë qytetin në një vend metropol.

Dokufest si duket këtë vit po rikthehet me prezencë fizike, por nuk do të mungojë edhe në platformën online, tha për “Radio Evropa e Lirë”, Alba Çakalli, producente e këtij festivali.

Dokufesti vitin e kaluar është shfaqur vetëm online, për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në këtë viti, thotë Çakalli, qyteti i Prizrenit po përgatitet që të presë qindra e mijëra vizitorë.

“Pas një viti me plotë sfida që kemi pasur edhe në organizimin e edicionit të 19-të, i cili ka rezultuar të mbahet online, planifikimet për këtë vit kanë shkuar me pak vështirësi dhe pasiguri. Tani jemi afër festivalit dhe kemi arritur që festivali këtë vit të mbahet në formatin hibrid. Ky vit do të shënohet në një formë shumë të mirë, me program shumë të pasur dhe special artistik”, thotë Çakalli.

Këtë vit, Dokufesti do të ketë gjashtë kinema në ambiente të hapura dhe dy të tjera do të jenë në ambiente të mbyllura. Sipas Çakallit, pritet të shfaqen deri në 200 filma dokumentarë dhe të metrazhit të shkurtër. Po ashtu, shton ajo, do të zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme.

Çakalli thotë se e kupton që pandemia ka goditur ekonominë dhe se mbështetja institucionale mund të jetë e kufizuar.

“Duke pasur parasysh që është festival kualifikues për BAFTA, e ka një renome botërore dhe është një prej festivaleve që i ka bërë ballë shumë sfidave, natyrisht që kurrë nuk është e mjaftueshme për të mbështetur festivalin aq sa pritet dhe aq sa në fakt e meriton DokuFest-i prej institucioneve shtetërore”, tha ajo.

/Gazeta Sinjali/