image “Do ta mbys”/ Burri në Kamenicë kërcënon gruan e tij me thikë, në prani të policëve tenton ta sulmojë me bishtin e kazmës

Siguri

“Do ta mbys”/ Burri në Kamenicë kërcënon gruan e tij me thikë, në prani të policëve tenton ta sulmojë me bishtin e kazmës

news image

Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese, pasi që vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje. E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë, raporton Gazeta Sinjali.

Me një kërcënim të frikshëm dyshohet se është përballur edhe një grua në fshatin Dajkovc të Kamenicës, të cilën bashkëshorti i saj e ka kërcënuar me vdekje.

Sinjali mëson se ka qenë vet i dyshuari ai i cili ka lajmëruar Policinë, duke thënë se mosmarrëveshjet që ka me bashkëshorten e tij do t’i zgjidh pasi do ta mbys me një thikë kuzhine.

Si rezultat i kësaj, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në të dyshuarin i cili në prezencë të policëve ka tentuar që ta sulmojë bashkëshorten e tij me një bisht të mjetit të punës, kazmës. Thika bashkë me shkopin e drurit janë konfiskuar nga Policia.

56-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku me vendim të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

/GazetaSinjali/