image 'Do ta mbaj mend përgjithmonë': Orkestra e Kievit nis turneun evropian

Evropë

‘Do ta mbaj mend përgjithmonë’: Orkestra e Kievit nis turneun evropian

news image

Disa nga muzikantët më të mirë klasikë të Ukrainës po mbajnë një turne nëpër Evropë si pjesë e një misioni kulturor, për të cilin Orkestra Simfonike e Kievit thotë se është pjesë e “luftimit të agresionit të Rusisë në çdo mënyrë të mundshme”.

21 prilli shënoi natën e hapjes së një turneu historik në Evropë nga Orkestra Simfonike e Kievit, që filloi në Varshavë, Poloni, dhe do të përfundojë në Hamburg, Gjermani, më 1 maj.

Oleksiy Pshenychnikov, i cili luan violinën e dytë në orkestër, gjatë një prove në Varshavë.

Violinisti ukrainas, Oleksiy Pshenychnikov, tha më 21 prill se ai iu bashkua turneut, sepse “me vendin tim në gjendje lufte, “isha ulur me familjen time në pamundësi për të bërë asgjë. Ushtria jonë po lufton për të ardhmen dhe lirinë tonë, kështu që unë nuk mund të rri dhe të pres, nuk e di se çfarë”, thotë ai.

Në mundësinë e parë arriti të udhëtojë në Poloni dhe Gjermani. 22-vjeçari thotë se e ndiente “shumë të rëndësishëm të ishte pjesë e këtij misioni kulturor.

Një baterist përdor shkopinj me ngjyrat e flamurit të Ukrainës gjatë provave në Varshavë.

Oleksandra Zaitseva, menaxhere ndërkombëtare e orkestrës, i tha Radios Evropa e Lirë se organizimi i turneut ka qenë më se i vlefshëm për “mundësinë që ne, si komb, të flasim dhe t’i dërgojmë një mesazh shoqërisë evropiane për kulturën tonë”, thotë ajo. “Të tregojmë se jemi njerëz normalë të gjallë, se kemi edhe kulturë dhe muzikë klasike, në mënyrë që njerëzit të mos na mendojnë si njerëz që, thjesht, bëjmë luftëra ose duan vetëm armë”.

Disa muzikante kishin ikur nga lufta më herët dhe janë regjistruar si refugjate në Evropën Qendrore, por shumica e anëtareve të orkestrës kanë udhëtuar jashtë Ukrainës dhe do të kthehen në vendin e tyre sapo të përfundojë turneu “Zëri i Ukrainës”. Meshkujve ukrainas të moshës 18-60 vjeç, aktualisht u është ndaluar të largohen nga vendi i tyre dhe disa anëtarë të orkestrës së Kievit duhej të aplikonin për leje për të shkuar jashtë vendit.

Muzikantët do të interpretojnë veprat e disa kompozitorëve ukrainas, duke përfshirë një simfoni të Borys Lyatoshynskyt të frymëzuar nga Lufta e Dytë Botërore, me temën e luftës për tejkalimin e paqes, shkruan REL.

Zaitseva thotë se turneu u ka dhënë muzikantëve një ndjenjë qëllimi pasi shumë prej tyre “u ndien të dobët ose të pafuqishëm, sepse e dinin se nuk janë në gjendje të marrin një armë në dorë dhe të mbrojnë tokën e tyre”.

Por, me instrumente dhe një hapësirë performimi, vazhdon ajo, “ata e ndiejnë këtë fuqi, një gatishmëri për të luftuar për vlerat e tyre në territorin e tyre – dua të them territorin e muzikës”.

Oleksiy Pshenychnikov (në mes) dhe muzikantë të tjerë të instrumenteve me harqe gjatë provës në Varshavë.

Për violinistin Pshenychnikov, turneu ka sjellë tashmë kujtime të fuqishme. Pasi shkoi për një shëtitje në qendër të Varshavës në natën e tij të parë në kryeqytetin polak, muzikanti i ri thotë se pa “flamuj ukrainas në të gjithë qytetin, në çdo rrugë dhe çdo ndërtesë ka fjalë në gjuhën ukrainase, si: ‘Ne jemi me ju’ dhe ‘Ne do t’ju ndihmojmë’ dhe ua, unë do ta kujtoj këtë përgjithmonë!”.

/GazetaSinjali/