Rrjeti i organizatave jo-qeveritare në Kosovë që monitoron procesin zgjedhor, Demokracia në Veprim (DnV), është shprehur e shqetësuar me zhvillimet e fundit lidhur me certifikimin e listave të subjekteve politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tyre, institucionet e në veçanti u.d e presidentes, Vjosa Osmani duhet të përmbahen në deklarata dhe veprime që mund të cenojnë pavarësinë e punës së KQZ-së.
“Kërcënimet publike janë të papranueshme dhe të patolerueshme dhe të tillat nuk përkojnë me vlerat dhe avancimet që Kosova ka pasur përgjatë viteve të fundit në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve. E gjithë kjo situatë e krijuar rrezikon të krijojë tensione dhe paqartësi në mesin e qytetarëve, duke ndikuar në uljen e besimit publik në zgjedhje”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Po ashtu, DnV u shpreh se Osmani duhet të ushtrojë funksionet e saj kushtetuese si u.d e presidentes duke mos u përfshirë kështu në debate politike, por të orientojë debatin drejt arritjes së një uniteti politik.
“DnV rithekson nevojën që U.D. e Presidentit të Kosovës të ushtrojë funksionet e saj kushtetuese, pavarësisht faktit që e njëjta është pjesë e garës zgjedhore, duke mos u përfshirë në debate politike dhe të ruajë frymën e këtij institucioni si përfaqësuese e unitetit qytetar. Presim nga U.D. e Presidentit që të orientojë debatin drejt arritjes së unitetit politik dhe gjetjes së një gjuhe të përbashkët, duke garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve. DnV rithekson se rruga ligjore është ajo që secili institucion duhet të ndjek në adresimin e pakënaqësive të tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftim./Gazeta Sinjali/