Demokracia në Veprim (DnV) po kërkon që të mos verifikohen zarfet e ardhur nga Serbia pa ardhur rezultatet e hetimeve.
Në një njoftim për media DnV ka kërkuar që verifikimi i zarfeve të bëhet vetëm pasi të garantohet siguria dhe shëndeti i personelit.
“Për shkak të ndjeshmërisë dhe kompleksitetit të këtij procesi, sidomos pas ankesave shëndetësore të personelit të KQZ të angazhuar në këtë operacion, DnV ka kërkuar nga KQZ-ja që të procedojë me verifikimin e këtyre zarfeve vetëm pasi të jetë garantuar siguria dhe shëndeti i personelit përgjegjës”.
“DnV-ja vlerëson që procesi i numërimit është duke u zhvilluar brenda afateve të rregullta kohore, andaj thotë se KQZ-ja nuk duhet të nxitojë me verifikimin e zarfeve të ardhura nga Serbia para se prokuroria të publikojë rezultatet nga hetimi i këtyre zarfeve dhe të hapë rrugë për verifikimin dhe numërimin e tyre”.
“Tanimë në përmbyllje të procesit të numërimit, DnV fton institucionet e drejtësisë që të hetojnë rastet të cilat konsiderohen si tentativa të qëllimshme për manipulim të rezultatit zgjedhor në mënyrë që të mos njolloset vlerësimi pozitiv mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe të mos luhatet besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor”, ka përfunduar DnV-ja./Gazeta Sinjali/