Tashmë Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti i kanë 15 ditë mundësi për krijimin e marrëveshjes së koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, apo me ndonjë parti tjetër për formimin e Qeverisë, raporton Gazeta Sinjali.
Pas propozimit të mandatarit, zyrtarisht fillon numërimi për partinë fituese të zgjedhjeve që të kërkojë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e Qeverisë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, kandidati për kryeministër paraqet brenda 15 ditëve përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës duke kërkuar miratimin e asaj përbërje.
“Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, thuhet në Kushtetutën e Kosovës.
Propozimi i mandatarit për kryeministër nga Vetëvendosje është befasi për faktin se kjo parti nuk ka arritur me askënd marrëveshje për koalicion dhe se dialogu mes VV-së dhe LDK-së deri më tani ka rezultuar i pasuksesshme.
Nuk dihet ende nëse VV ka ndonjë plan sekret për arritjen e numrave të mjaftueshëm në Kuvendin e Kosovës për të votuar pro Qeverisë Kurti. Deri më tani VV ka negociuar vetëm me LDK-në dhe me pakicat në Kosovë, duke përjashtuar Listën Serbe, shkruan Gazeta Sinjali.
VV dhe LDK ishin pajtuar për planin qeverisës, por assesi për ndarjen e posteve. VV kishte propozuar Konjufcën për kryeparlamentar pa arritur marrëveshje me LDK-në, për të cilin kishin votuar pro edhe LDK.
Pikërisht posti i Konjufcës tashmë është bërë “mollë sherri” mes LDK-së dhe VV-së. LDK në ofertën e fundit që i ka bërë VV-së i ka kërkuar që LDK-së t’i takojë posti i kryeparlamentarit deri në marrjen e postit të presidentit, që më pas VV ta zotërojë përsëri këtë post./Gazeta Sinjali/