image Digjen 120 shtëpi nga zjarri në Kili

Botë

Botë/ Digjen 120 shtëpi nga zjarri në Kili

news image

Të paktën 120 shtëpi janë shkatërruar si pasojë e zjarreve që ka kapluar Kilin, më saktësisht qytetin Valparaiso. Kjo gjendje i detyroi mijëra banorë që të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

Për të shuar këto zjarre në zonat Rocuant dhe San Roque janë angazhuar të gjithë zjarrfikësit e qytetit. Autoritetet e ndërprenë rrymën për 90 mijë konsumatorë si masë parandaluese për shkak të rrezikut nga përhapja e zjarreve përmes rrjetit elektrik.

Kryetari i këtij komune, Jorge Sharp, tha për një televizion se zjarret janë shkaktuar qëllimisht, ndërsa policia nuk ka raportuar ende për ndonjë viktimë.

“Tash për tash, ekipet emergjente në tërë qytetin janë duke punuar përmes burimeve tokësore dhe ajrore. Ata janë të përqendruar në dy zonat më të larta të qytetit”, tha Sharp.

Tutje ai shtoi se erërat e fuqishme dhe temperaturat e larta po e përkeqësojnë gjendjen e zjarreve. Nga këto zjarre deri më tash janë djegur rreth 120 hektarë kullosa.

Valparaiso është njëri prej qyteteve më të mëdha të Kilit dhe port i rëndësishëm në bregdetin e Oqeanit Paqësor. Qyteti i shtrirë në pjesën qendrore të Kilit është vend i popullarizuar edhe për turistët.

Përpos Kilit, këtë vit me zjarre janë përballur edhe disa shtete të tjera të Amerikës Jugore, përfshirë Brazilin dhe Bolivinë, shkruan “BBC”./Gazeta Sinjali/