Qeveria Kurti pas largimit të taksës 100 për qind kishte vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë. Nga 1 prilli deri më 6 qershor nga Serbia në Kosovë kanë hyrë 33.4 milionë euro mallra, ndërsa Kosova ka eksportuar në shtetin fqinj vetëm 3.2 milionë euro.
Adriatik Stavileci për Gazetën Sinjali ka bërë të ditur se nga vlera e importit prej 33.4 milionë euro nga Serbia, 4.1 milionë kanë qenë kryesisht tatim mbi vlerën e shtuar.
“Nga data 1 prill importi në vlerë prej Serbisë ishte 33.4 milionë euro derisa taksa të mbledhura ishin 4.1 milionë euro kryesisht TVSH. Nga Kosova eksporti për në Serbi ishte 3.2 milionë euro”, ka thënë zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci për Gazetën Sinjali.
Gjatë masës së reciprocitetit të gjitha maunet që kanë hyrë nga Serbia në vendin tonë iu kanë referuar Kosovës si shtet, për këtë në ditën e parë janë kthyer 7 maune në Jarinjë, ndërsa 6 maune në Merdare, pasi nuk kishin dokumentet në përputhje me ligjet e Kosovës.
“Kthimet e mauneve kishte vetëm ditën e parë respektivisht në Jarinje 7 maune derisa në Merdare 6 maune”, ka thënë Stavileci.
Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se asnjë maune nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë, nëse në certifikatat e tyre nuk figuron “Republika e Kosovës”.
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, hoqi të gjitha masat e reciprocitetit me Serbinë, kërkesë kjo e faktorit ndërkombëtar në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi. Masat e reciprocitetit ndaj Serbisë ishin vendosur më 1 prill megjithë kundërshtimin dhe kritikat që i kishte nga SHBA dhe Bashkimi Evropian për mosvënien e këtyre masave. /Gazeta Sinjali/