Rritja e rasteve të dhunës në familje në Kosovë është bërë mjaft shqetësuese. Në të shumtën e këtyre rasteve viktima janë gratë, që përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët e tyre apo edhe familjarë të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe dje në një familje në fshatin Hajvali të Prirshtinës, me ç’rast një grua ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj.
Sinjali mëson se viktima ka deklaruar se i dyshuari tash e një kohë ushtron dhunë psikike dhe fizike ndaj saj, duke e kërcënuar dhe duke e bërë të ndihet e pasigurt që të jetojë me të.
27-vjeçari është arrestuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.