Më 2 maj të vitit 2011, forcat speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vranë liderin e organizatës terroriste Al-Kaida, Osama bin Laden.
Dhjetë vjet pas vrasjes së tij, ushtarët amerikanë do të largohen nga Afganistani.
Sulmet terroriste të 11 Shtatorit në New York, në Washington, dhe në Pensilvani, më 2001, e bënë edhe më urgjente kapjen e udhëheqësit saudit të terroristëve, Osama bin Laden. Kërkimi kishte filluar në vitet e 90-ta të shekullit 20.
Përgjatë viteve të 90-ta, Bin Laden mori përgjegjësinë për disa sulme terroriste, përfshirë sulmet me kamionë me bomba ndaj ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani. Shumica e madhe e 224 personave të vrarë në këto sulme ishin afrikanë vendës.
Bin Laden po ashtu gjerësisht besohet të ketë qenë i përfshirë në çuarjen e xhihadistëve të huaj për të luftuar bashkë me myslimanët e Bosnjës gjatë luftërave të viteve të 90-ta të shekullit 20 në ish-Jugosllavi. Luftëtarët e huaj islamikë ishin famëkëqij për shkak të brutalitetit të tyre.