image "Dhimbje e madhe, por e kemi pritur këtë lajm që 22 vjet", flasin familjarët e dy viktimave të luftës që u gjetën sot në Kizhevak

Sociale

“Dhimbje e madhe, por e kemi pritur këtë lajm që 22 vjet”, flasin familjarët e dy viktimave të luftës që u gjetën sot në Kizhevak

news image

Janë bërë sot 22 vjet nga masakra e Rezallës në Skenderaj. Mbi dy dekada më parë janë vrarë dhe masakruar 98 persona, 44 prej tyre dyshohet se janë dërguar në vise të Serbisë, dy prej të cilëve janë gjetur sot në varrezat e Kizhevakut të cilët i përkasin familjes Zabeli.

Mejdi Zabeli, djali i Sadri Zabelit, njërit nga të gjeturit e sotëm në varrezat e Kizhevakut, thotë se është e dhimbshme gjetja e trupit të babait të tij, por shton se këtë lajm familja e tij e ka pritur tash e 22 vjet.

“Është e dhimbshme, por kemi pasur dëshirë që ta dëgjojmë këtë lajm, këtë kohë e kemi pritur që 22 vjet, ish një mërzi e madhe, por nuk e dimë se kur do të vijnë trupat e tyre sepse duhet të gjenden edhe dhjetë trupat e tjerë”, ka thënë Zabeli në Klan Kosova.

Ai thotë se që nga paslufta ka dhënë ADN në mënyrë që të ndihmojnë në identifikimin e familjarëve të zhdukur.

“Menjëherë pas luftës unë e kam dhënë ADN, diku dy herë e kam dhënë ADN, ndërsa familjarët e kanë dhënë më shumë ADN për t’i gjetur këta trupa”.

Ndërsa nipi i Shefqet Zabelit, thotë se varri i axhës së tij ekziston prej kohësh, edhe pse ai bashkë me familjarët e dinë se ai varr ka qenë i zbrazët, por gjithmonë i kanë bërë ceremonitë fetare para varrit të axhës së tij.

“Kur e kemi marrë sot lajmin nga mjeku Gerxhaliu, na shtohet dhimbja që i kemi gjetur, ndërsa varrezat e tyre janë prej vitesh, e kemi ditur që aty nuk ka gjë, por i kemi bërë ceremonitë”.

“Më herët më është gjetur si i zhdukur edhe mixha im, në varrezat e Kizhevakut”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/