image Incidenti me eskortën e Kurtit në Skenderaj, raporti policor: S'kishte elemente të veprës penale

Siguri

Incidenti me eskortën e Kurtit në Skenderaj, raporti policor: S’kishte elemente të veprës penale

news image

Deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, kishte tentuar ta godiste me veturë eskortën e tij, kanë çuar në ngritjen e një padie për shpifje ndaj Kurtit.

Rasti lidhet me një incident të ndodhur më 27 janar të vitit të kaluar në Skenderaj. Sipas raportit policor të Njësisë Policore të Mbrojtjes së Afërt, pas një tubimi ishte raportuar se “një veturë e kishte rrezikuar eskortën e Mbrojtjes” së Kurtit.

Në raportin policor thuhet se incidenti kishte ndodhur pas një tubimi dhe se një njësi policore kishte arritur që veturën e dyshuar ta ndalojë, dhe se vozitës në të kishte rezultuar të ishte kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Ndërkohë, në raportin e prokurorit të 28 janarit, pas analizimit të video-incizimeve, përshkruhet e gjithë ngjarja.

“…vetura e dyshuar kyçet nga parkingu i pompës në rrugën rajonale Skenderaj-Drenas pasi kalon vetura e parë policore me rrotativë ndezur që i ka prij eskortës. Sapo kalon vetura e parë, vetura e dyshuar e fillon veprimin e kyçjës në rrugë dhe në momentin kur vetura e dytë policore e eskortës së mbrojtjes së afërt vjen në pozicion paralel me të, vetura e dyshuar vetëm është e kyçur në rrugë, vetura shihet se kyçet duke e mbajtur cepin e skajit të rrugës nga ana e tij dhe nuk del në shiritin e eskortës, pas pak shihet se ndezën dritat e frenimit dhe veturat e eskortës e tejkalojnë veturën e dyshuar dhe e mbajnë shiritin e majtë të rrugës pa pasur nevojë devijimi apo frenimi. Gjerësia e rrugës te cepi i pompës së derivateve është 16.50 metra, pra është rrugë me dy shirita qarkullues”, thuhet në raportin e prokurorit.

Në raport theksohet se nuk ka elemente të ndonjë vepre penale apo kundërvajtje kundër sigurisë së trafikut publik.

“Pas analizimit të video incizimeve, raportit policor, duke e pas parasysh faktin se qarkullimi i trafikut në atë pjesë mund të zhvillohet në dy shirita qarkullues, por edhe deklaratës së z. Sami Lushtaku vijmë në përfundim se z. Sami Lushtaku me veprimet e tij të kyçjës në rrugë me veturën 02Z-66-21 nuk ka kryer rrezikim të trafikut publik. Prandaj, në konsultim me prokurorin në këtë rast nuk kemi elemente të ndonjë vepre penale apo kundërvajtje kundër sigurisë së trafikut publik dhe rasti mbetet me shënim zyrtar për INFORMIM në Operativën e Stacionit Policor në Skenderaj”, thuhet në raport.

E, Kurti kishte deklaruar të hënën se gjatë fushatës në Skenderaj për zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025, Lushtaku kishte tentuar ta godiste eskortën e tij me veturë zyrtare.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/