Mediumi i njohur Deutche Welle në një analizë të publikuar së fundi, thekson se kryeministri i ri i Kosovës duhet të punojë shumë për një kompromis me Serbinë, duke marrë parasysh presionin e madh që po vjen nga SHBA dhe BE.
Artikullin e fillon duke cekur se Kurti ka përballë një opozitë shumë të fortë, PDK-në e drejtuar dikur nga presidenti Hashim Thaçi dhe AAK-në e Haradinajt. Këta bashkë me LDK-në kanë qenë në pushtet përgjatë dy dekadave.
Në anën tjetër, VV-ja me politikanë relativisht të rinj dhe të konsideruar si rebelë në opozitën jashtëparlamentare nuk ka përvojë qeverisjeje.
Ky medium thekson e Kurtin e pret një detyrë e vështirë, ai nuk duhet t’i zhgënjejë personat që e votuan, por në anën tjetër, i duhet një kompromis me Beogradin.
Presioni i madh nga aleatët tanë, SHBA dhe BE si dhe koha e limituar nuk pret. Tani tek Kurti zgjedhësit e zhgënjyer deri më sot kanë vendosur shpresa të mëdha. Kurti përfaqëson kursin kundër establishmentit të deritanishëm, ekonomisë së tarafeve dhe stanjacionit.
Tani ai duhet të dëshmojë, se i qëndron me seriozitet kësaj linje.
Nga ana tjetër raportet e mazhorancës në parlament flasin për ndarjen e shoqërisë kosovare sa u përket bisedimeve me Serbinë. Proceset që priten në Gjykatës Speciale në Hagë për krimet e dyshuara të luftës prej shqiptarëve mund ta ndezin atmosferën në vend.
Ish-luftëtarët e UÇK-së konsiderohen si heronj në popull dhe gjejnë mbështetje të madhe. VV dhe LDK, si përgjegjëse në qeveri, do t’u duhet të respektojnë këto ndjenja dhe tradita kombëtare si dhe të ruajnë qetësinë dhe ta mbajnë situatën nën kontroll në vend. Kurti duhet t’ia dalë të përgatisë shoqërinë kosovare për kompromiset e nevojshme.
Marrëveshja jo vetëm me Serbinë, por edhe uniteti brenda Kosovës, janë të domosdoshme për të ardhme të sigurt. Ai duhet të ketë rezultate dhe të përmbushë premtimet. Prej kësaj do të vlerësohet puna e tij në qeverisje.
Nëse qeveria e re nuk ia del të sjellë në Kosovë hopin ekonomik dhe politik, ajo është e predestinuar të dështojë. Kjo nuk do t’i brengosë partitë e tjera, madje as LDK-në në bashkëqeverisje. Përkundrazi! Reforma rrënjësore në Kosovë është domosdoshmëri dhe VV-ja ka tani shansin të dëshmojë, se është në gjendje ta ndërmarrë atë.