Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka deklaruar se prokurorja e rastit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan, ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve që u arrestuan mbrëmë.
“Brenda afatit ligjor, prokurorja e çështjes ka parashtruar kërkesë për paraburgim ndaj tre të ndaluarve , ndërkaq gjatë seancës i ka elaboruar të gjitha arsyet pse duhet ata të jenë në paraburgim“, ka thënë ai për Sinjalin.
Nikçi tha se të arrestuarit dyshohen se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Seanca dëgjimore ndaj Halil, Kreshnik e Malsor Mehmetajt ka përfunduar, ndërsa Gjykata Themelore në Pejë ende nuk ka deklaruar nëse është caktuar masa e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve. Kujtojmë që Sinjali ka mësuar se është edhe një person tjetër i dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, i cili ende është në arrati.