Gazeta Sinjali sot raportoi se Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, ndaj 5 të dyshuarve Valdrin Halimi, Erdonis Nuredini, Rabit Idrizi, Ardit Sylejmani dhe Blerim Kurti për vrasjen e të riut Egzon Rafuna. 22-vjeçari dyshohet se u vra për shkak të një borxhi. Sinjali ka siguruar kërkesën e Prokurorisë dhe ju sjell detaje për këtë tragjedi.
Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se gjithë ngjarja, dyshohet se ndodhi rreth orës 20:40, në rrugën “Ramize Gjebreja” të lagjes Arbëria, afër shtëpisë së viktimës, Egzon Rafuna, pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi në të holla. Gjatë përleshjes, të dyshuarit kanë gjuajtur 7 herë me dy armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit, ku ka mbetur i vdekur i riu 22-vjeçar.
Në momentin që Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka gjetur një armë që dyshohet se është përdorur nga viktima Egzon Rafuna dhe një armë tjetër me dy fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga i dyshuari që u plagos Valdrin Halimi. Përveç dy armëve, në vendngjarje janë gjetur 7 gëzhoja, tre telefona mobilë, një pako me substancë të dyshuar narkotike, një qese marihuanë dhe një veturë e tipit Golf 2.
Ndaj 5 të dyshuarve që u ndaluan, Policia e Kosovës ka parashtruar kallëzim penal, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.