Një person ka përfunduar në pranga ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi tentuan të trafikonin një vajzë për prostitucion. Burime zyrtare të policisë sqarojnë se viktimë e tyre kishte rënë një 20-vjeçare, të cilën personat më lart po tentonin ta trafikonin drejt Gjermanisë.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafiqeve të paligjshme, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, si dhe falë një pune të mirëorganizuar, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po tentonin të trafikonin në Gjermani një shtetase me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas finalizoi me sukses operacionin e koduar “Fraud”, si rezulat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: A. B., 31 vjeç, lindur dhe banues në Fier”, thotë policia në një njoftim për mediat.
Në kërkim u shpallën dy bashkëpunëtorët e 31-vjeçarit.
Të tre këta persona dhe një tjetër ende të paidentifikuar, kishin organizuar trafikimin në Gjermani, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, të një shtetaseje 20-vjeçare.
“E. K. dhe B. B. u shpallën në kërkim dhe në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për identifikimin e personit tjetër të përfshirë në këtë vepër penale”, thotë më tej Policia e Shtetit. /Gazeta Sinjali/