image Deri kur kanë afat vaksinat që Norvegjia ia dhuroi Kosovës, flasin nga shteti norvegjez

Shëndetësi

Deri kur kanë afat vaksinat që Norvegjia ia dhuroi Kosovës, flasin nga shteti norvegjez

news image

Përveç Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, pretendimet e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiut, rreth skadimit të afatit të vaksinave të ardhura nga Norvegjia, i ka demantuar edhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kujdesit të Norvegjisë, Saliba Andreas Korkunc.

Korkunc nga Ministria e Shëndetësisë së Norvegjisë ka dhënë detaje rreth donacionit norvegjez të vaksinave, duke treguar se 12 mijë e 500 dozave iu skadon afati më 31 korrik 2021 dhe 170 mijë e 400 të tjerave më 31 gusht 2021.

“Dozat e vaksinave të dërguara nga Norvegjia për në Kosovë kanë këta numra në paketim dhe këto data të skadimit.

ABW1277 31.07.2021 Vaxzevria 10×10 ml vial: 5

ABX2057 31.08.2021 Vaxzevria 10×10 ml vial: 1440

ABX2057 31.08.2021 Vaxzevria 10×10 ml vial: 264

ABW2953 31.07.2021 Vaxzevria 10×10 ml vial: 120”, ka thënë ai në një përgjigje përmes e-mailit për Gazetën Express.

“Në total 12 mijë e 500 doza skadojnë më 31 korrik, pjesa tjetër prej 170 mijë e 400 skadojnë më 31 gusht”, ka përfunduar Korkunc.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, dje pretendonte se një numri të vaksinave të ardhura donacion nga Norvegjia u kishte skaduar afati më 30 qershor.

Haxhiu thotë se këto vaksina janë pa afat dhe se shteti i Norvegjisë i ka larguar nga përdorimi muaj më parë.

Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës sot i ka quajtur si dezinformata pretendimet e deputetit Haxhiu, të cilat sipas tyre, tregojnë edhe mungesë respekti ndaj Norvegjisë si donator.

“Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e marra nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individ të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesë të respektit ndaj donatorit-shtetit të Norvegjisë”, thuhej në reagimin e MSh-së./Gazeta Sinjali/