image Dërgohet në paraburgim prindi që keqtrajtoi vajzën e tij në Gjakovë

Kosovë

Drejtësi/ Dërgohet në paraburgim prindi që keqtrajtoi vajzën e tij në Gjakovë

news image

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaj të pandehurit H. R., ashkali, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, lëndim i lehtë trupor, lidhur me veprën penale “dhunë në familje” dhe “mbajtje pa autorizim e armës”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në gjendje të dehur,më 23 prill rreth orës 19:00, kishte keqtrajtuar vajzën e tij, duke i kërkuar të largohej nga shtëpia dhe më pas e kishte goditur me armë në hundë.

“Më 23 prill 2020 rreth orës 19:00, në shtëpinë e tij në Gjakovë, me dashje shkakton dhunë në familje duke keqtrajtuar fizikisht vajzën e tij në atë mënyrë që, i pandehuri përderisa gjendej në ndikim të alkoolit fillon të bërtas dhe ta fyej me fjalë të ndyta, e urdhëron të dëmtuarën që të dal nga shtëpia. Më pas, merr armën e tij të tipit pistoletë, futet në dhomë dhe me pjesën e poshtme të armës e godet në fytyrë – hundë vajzën e tij, duke i shkaktuar lëndime”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Me këto veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” lidhur me veprën penale “Dhuna në familje” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaj, i cili do të llogaritet nga data 23 prill 2020 dhe do të zgjasë deri më 24 maj 2020.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Gazeta Sinjali/