Gjykata Themelore në Gjilan e ka aporvuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, duke i caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë të pandehurit me inicialet A.A.
Gjykata njofton se A.A. ia kishte dhënë 132 mijë e 500 euro një personi me inciale E.I, në mënyrë që ky i fundit t’ia kthejë atij këto para me 30% kamatë. Madje në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjilan thuhet se A.A. i kishte shkaktuar presion të lartë vitkimës E.I., duke i shkaktuar gjendje të rëndë psiqike.
“Ekziston dyshimi i bazuar se A.A ka dhënë para me fajde në vlerë prej 132.500,00 €uro, për t’i kërkuar pastaj me kamatë prej 30% nga viktima E. I.Në rrethanat e kryerjes së veprës penale, cilësitë personale të pandehurit, mënyra e vrazhdë e kryerjes së veprës dhe presioni i lartë ndaj viktimës E. I., ka sjellë në gjendje të rëndë shpirtërore dhe psiqike”, thuhet në kumtesë.
Me këto veprime, gjykata konstaton se i pandehuri A.A. dyshohet të ketë kryer veprën penale “fajdeja”.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu bastisjen e shtëpisë së të pandehurit, ku thotë se janë gjetur dhe konfiskuar si dëshmi, para të gatshme gjithsej 20 mijë e 300 euro, si dhe dokumente të cilat gjykata thotë se ndërlidhen me çështjet inkriminuese.
“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e të pandehurit në këtë fazë të procedurës”, thuhet në komuniktatë.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit./Gazeta Sinjali/