Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se është arrestuar personi që i ndalte qytetarët me alarm të Policisë dhe që u prezantua si polic civil.
Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media.
Sipas Policisë, i dyshuari është dërguar në stacionin policor në Obiliq dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndaj tij është inicuar rasti “Prezantim i rremë si person zyrtar”.
“Policia e Kosovës, pas pranimit të informacioneve të bëra publike përmes rrjeteve sociale dhe disa portaleve, ku në një video-je shihet një automjet me një person të dyshuar duke përdorur aplikacione të ndryshme në telefon, me drita kinse vezulluese dhe duke i ndaluar veturat civile në autostradë, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore. Si rezultat i veprimeve të shpejta, personi i cili ka postuar videon në fjalë është identifikuar dhe i njëjti është sjellë në stacionin policor Obiliq dhe është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, pasi që ai gjatë asaj ngjarje në videon e publikuar, ishte prezantuar si zyrtar policor“, thuhet në komunikatë.